
TIRANË- Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri është paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tu marrë në pyetje lidhur me çështjen e inceneratorëve. Në pamjet e siguruara nga ZËRI, Gjiknuri shihet teksa futet në SPAK, lë sendet në dollapin përkatës dhe bëhet gati për tu intervistuar nga prokurorët e posaçëm. Ajo që e implikon Gjiknurin janë dy rezervime hotelesh që SPAK ka gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto. Sipas SPAK, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë, kur ish-ministri ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një udhëtim zyrtar. Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar, negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se objekt i bisedimeve ka qenë një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit.
Bëhet fjalë për një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Vetë Gjiknuri ka deklaruar se nuk ka fjetur asnjëherë në hotelet e paguara nga bizmesmenët e inceratorëve, megjithëse u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë me drejtësinë, por kur është pyetur nga gazetarët, nuk ka preferuar të komentojë nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri. Gjiknuri është ministri i tretë që rrezikon burgun për shkak të aferës së inceneratorëve. Pas hekurave ndodhet ish-ministri Lefter Koka, ndërsa në kërkim është shpallur ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj. Së fundmi, Gjiknuri u shkarkua si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Socialiste nga kyeministri Edi Rama sepse i doli në mbrojtje ish-zv/kryeministrit. I pyetur për këtë gjë, Gjiknuri nuk dha asnjë përgjigje konkrete, por shtoi se kujtimet e tij do t’i shkruajë kur të dalë në pension politik.