
TIRANË- Dashuria kushton në Shqipëri dhe 14 shkurti, Dita e Shën Valentinit e tregon mjaft qartë këtë. Tashmë kjo festë ka marrë trajtë tjetër, pasi një çift shqiptar nuk e kalon më këtë ditë vetëm me një trëndafil, por e nis me një faturë minimale prej 300 eurosh. Nisur nga kjo gjë, dalim në përfundimin se kushton më pak të jesh “single”. Oferta të shumta nisën të “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit.
Këtu përfshihet një darkë në një restorant të mirë, një natë romanetike në një resort, bizhuteri e parfume. Kujdesi personal zë gjithashtu një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet për këtë festë. Setet fotografike, udhëtimet janë gjithashtu disa nga dhuratat që mendohen për Ditën e të dashururarve. Nuk përjashtohen as ndërhyrjet estetike, shërbimet e lazerit apo edhe mbjellja e flokëve.