ELBASAN- Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, dyshohet se është dhunuar disa ditë më parë në qendër të qytetit. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës, më 6 shtator, por është raportuar këtë të enjte, për shkak të moskallëzimit nga vetë i dëmtuari. Dyshohet se gjatë sulmit janë përdorur edhe sende të forta, ndërsa, si pasojë, mësohet se Tabaku ka pësuar dy fraktura në kokë. Sipas të dhënave paraprake, Tabaku është goditur nga dy persona, të identifikuar si Endri Çopja dhe Horgito Peqini, të dy me precedentë penalë dhe të përfshirë në ngjarje kriminale ndër vite. Endri Çopja është një ndër personat e arrestuar për atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, në janar të vitit 2018. Ndërsa Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur në Elbasan me nofkën “Mandela”, është liruar nga burgu vetëm pak kohë më parë, pasi kishte vuajtur dënimin për vrasjen e Madrid Ulqinakut, në vitin 2022. Sipas burimeve, një prej pistave të dyshuara për motivin e sulmit lidhet me një konflikt për punësimin, pasi dyshohet se Tabaku kishte larguar nga puna bashkëshorten e Çopjas në Bashkinë e Elbasanit. Megjithatë, asnjë pistë nuk është konfirmuar deri më tani. Ndërkohë, sipas burimeve pranë Policisë së Elbasanit, nuk ka pasur denoncim për rastin dhe uniformat blu janë informuar për ngjarjen nga mediat.
/ZËRI