
TIRANË- Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro ka akuzuar grupin e Dritan Gjikës, të arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe se ka tentuar që ta vrasin. Petro thotë se ata kanë dashur që t’i bëjnë atentat, por kanë dështuar. Sipas tij, grupi kontrollon një rrjet të gjerë prokurorësh dhe portin e Buenaventurës në Kolumbi.
“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Ata janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Peci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Ata kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses”, shkruan Gustavo Petro.
Bosi shqiptar i kokainës, Dritan Gjika, 48 vjeç, është arrestuar në Dubai për rolin e tij në drejtimin e operacionit të kartelit për të importuar male me kokainë përmes Costa del Sol. Organizata kriminale dyshohet se përdorte biznese të ligjshme, duke përfshirë eksportuesit e bananeve, për të fshehur ngarkesat e kokainës në kontejnerë frutash të destinuar për në portet evropiane.
Arrestimi, i konfirmuar nga autoritetet ekuadoriane më 26 maj 2025, erdhi në kuadër të çështjes 'Pampa', një hetim i përbashkët nga Ekuadori dhe Spanja, ku u zbulua një rrjet përgjegjës për pastrimin e mbi 30 milionë dollarëve përmes kompanive ekuadoriane.