Video

Elsa Lila- “VIP-i” me jetë të vështirë

Këngëtarja shqiptare u arrestua  me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë, duke u kthyer për vetëm pak momente nga “ambasadorja” e Shqipërisë në Itali, në personazhin më “VIP” të botës së errët të krimit.

Redaksia Zëri
Elsa Lila- “VIP-i” me jetë të vështirë
Elsa Lila

TIRANË- Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila është një nga më të njohurat në vendin tonë. Ajo vjen nga një familje artistësh pasi babai i saj Edmond Lila njihet si një nga tenorët me reputacion të spikatur ndërkombëtar. 2 vite më parë, këngëtarja shqiptare u arrestua  me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë, duke u kthyer për vetëm pak momente nga “ambasadorja” e Shqipërisë në Itali, në personazhin më “VIP” të botës së errët të krimit. Për herë të parë, Elsa Lila, e cila është përmendur gjithmonë për artin e saj, sot ka pushtuar të gjitha faqet e para të mediave për lidhjet e saj me krimin dhe drogën. Elsa ishte një nga këngëtaret që publiku e përqafoi dhe e deshi shumë, sidomos për portretin dhe zërin e saj gati-gati ëngjëllor.

Lila ishte ende adoleshente teksa u ngjit në skenë në 1996 dhe fitoi Festivalin e RTSH me këngën “Pyes lotin”, e cila këndohet edhe sot. E që atëherë nuk është ndalur më.

Ajo preku skenën e madhe të Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003, duke e renditur në vendin e tretë. Ndërsa në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”. Që atëherë jeta e artistes ka vijuar në Romë. Elsa është nënë e një vajze 10-vjeçare të quajtur Evita, por e tërhequr nga muzika dhe larg rrjeteve sociale.

Por kush është Elsa Lila?

Elsa Lila ka lindur në Tiranë, Shqipëri dhe babai i saj ishte një këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, kështu që të dy prindërit e saj e rritën atë afër muzikës dhe teatrit, duke i dhënë asaj një dashuri të madhe për artet. Në vitin 2001, Elsa Lila u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, me titullin “Ambasadore e muzikës së Shqipërisë në botë” duke u bërë kështu një qytetare e botës e lindur në Shqipëri dhe e realizuar në Itali.

Por për herë të parë u “përplas” në vitin 1997, kur ajo do të përballej me një ngjarje të rëndë, vrasjen e nënës së saj, Evës.

Viktima punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të Parkut Rinia, ngjitur me Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo kishte mundur të punësohej për shkak të njohjeve që familjarët e saj kishin me pronarët e lokalit. Duke qenë se ishte e divorcuar, Eva Vishaj jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”. Në periudhën e vitit 1997, për shkak të rrëmujave të atij viti, pjesa më e madhe e popullsisë qëndronte në shtëpi. Eva Vishaj, për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që kishte me drejtoreshën e shkollës “Hoxha Tasim”, F.N., kishte filluar të shkonte në kurse aerobie në kohën e lirë.

Më 23 maj 1997, Albenc Ago, i cili udhëtonte me një makinë tip fuoristradë, e ka marrë gruan dhe është larguar në drejtim të Rrugës së Elbasanit. Ai e ka vrarë dhe trupin e pajetë të saj e ka hedhur në kilometrin e 29-të të aksit Tiranë-Elbasan. Mekanizmi i ngjarjes, është zbardhur nga dëshmitarët e shumtë që janë pyetur në procesin gjyqësor, mes tyre dhe njerëz që kishin bashkëpunuar ngushtë me Agon. Por, pavarësisht firmosjes së dënimit prej 20 vitesh burg, nuk u hodh dritë mbi motivin e vrasjes së Eva Vishajt. Megjithatë duket se ngjarja ka lënë shenjë tek këngëtarja, e cila ka vendosur që të bijës t’i vendosë emrin e nënës së ndjerë.

HISTORIA E DASHURISË

Në një intervistë të dhënë kohë më parë për Arjan Konomin, këngëtarja rrëfeu si kurrë më parë për jetën private, ku dhe zbuloi se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ajo tregoi gjithashtu për herë të parë se partneri i saj ishte italian dhe quhej Alessandro, të cilin e kishte njohur në Madagaskar. Megjithatë dashuria e tyre mbaroi shpejt. E për arsye që nuk dihen.Nga dashuria e tyre, në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, lindi Evita, vajza e saj, e cila duket se ka trashëguar edhe talentin e saj për muzikën./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB