Video

Etja për para dhe një "MEGAMIND" si boss droge...kush është Sebastian Marset

Ngjitja e tij ishte e shpejtë - në moshën 28-vjeçare, sipas një padie penale paraguaiane, Marset po lëvizte kokainë dhe valixhe me para në të gjithë Amerikën e Jugut me një flotë avionësh privatë. Deri në moshën 31-vjeçare, ai kishte fituar më shumë se 1 miliard dollarë.

k.m.
Etja për para dhe një "MEGAMIND" si boss droge...kush
Foto ilustruese

TIRANË- Ai ngiste një Lamborghini, ishte i pashëm, i mbuluar me bizhu ari, Rolex dhe plot tatuazhe. Në thelb, Marset ishte një lojtar mediokër, pra kishte aftësitë e një adoleshenti që luan me skuadrën e gjimnazit, pra asgjë e veçantë. Kështu ishte e gjithë jeta e Marset, gjithmonë në kufi me absurdin.

Marset ka lindur në Piedras Blancas, një lagje me shtëpi të vogla në nivele të ndara në periferi të Montevideos. Uruguai e kishte konsideruar veten prej kohësh si "Zvicra e Amerikës së Jugut", me shkallën më të ulët të krimit në kontinent. Por në Piedras Blancas, teksa Marset u fut në vitet e adoleshencës, papritmas u shfaqën të rinjtë duke shitur dhe trafikuar drogë. Vrasjet pasuan shpejt. Marset ishte një student i shkëlqyer në shkollë, një fëmijë i dobët dhe i zgjuar që i pëlqente të qëndronte para të gjithëve dhe t'u jepte leksione shokëve të klasës sikur të ishte mësuesi. Megjithatë, kur u rrit, ai kishte vetëm një qëllim: Të luante si futbollist profesionist. Ai dhe miqtë e tij luanin në rruge. Por pasioni nuk ishte arsyeja se përse Marset donte që të bëhej futbolist, kryesoja ishin paratë.

Ndaj edhe iu fut botës së drogës!

Ngjitja e tij ishte e shpejtë - në moshën 28-vjeçare, sipas një padie penale paraguaiane, Marset po lëvizte kokainë dhe valixhe me para në të gjithë Amerikën e Jugut me një flotë avionësh privatë. Deri në moshën 31-vjeçare, ai kishte fituar më shumë se 1 miliard dollarë. Ai vendosi pulla në dërgesat e tij të drogës që shkruanin "Mbreti i Jugut". Nga atje ku ishte jepte urdhra 'çirakëve' të tij sesi të paguanin, kujt ti paguanin, ku ta fshihnin drogën, etj. Ai vrau armiqtë e tij pa asnjë shenjë pendese, duke dhënë edhe këshilla sesi të zhdukeshin trupat e tyre. Marset bëri pak pushim nga trafiku i drogës për të luajtur si futbollist profesionist - fillimisht në Capiatá, madje arriti deri aty saqë e imagjinote veten dirigjent të mesfushës. Deliri arriti deri aty saqë pagoi 10,000 dollarë për të veshur fanellën me numrin 10, vetëm sepse të njëjtin numër mbante të veshur Pelé, Maradona dhe Messi. Kur ai rrëzonte në tokë kundërshtarët, gjyqtarët nuk guxonin që t'i frynin bilbilit për ta ndëshkuar.

Rritja e tij përkoi me shpërthimin e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Por ishte Marset ai që do të ndihmonte në përsosjen e kësaj rruge, duke dërguar tonelata droge nga portet uruguaiane në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani. Ndërtimi i këtyre lidhjeve e vendosi Marset në kontakt me disa nga politikanët më të fuqishëm të kontinentit. Por Marset është trafikanti i parë i madh i drogës që përdor statusin dhe pasurinë e tij jo vetëm për të financuar skuadrat profesionale të futbollit, por edhe për të luajtur me to. Në varësi se cilin version besoni, karriera e tij atletike ishte ose një strategji e sofistikuar për të fshehur identitetin e tij, ose një përpjekje për të përmbushur një ëndërr të parealizuar. I pyetur se cila nga këto dy versione qëndronte avokati i Marset, Santiago Moratorio pasi qeshi tha: Ai gjithmonë ka dashur të jetë një futbollist!

Ndërsa autoritetet amerikane dhe ato të Amerikës së Jugut ndiqnin Marset në të gjithë kontinentin, nga Lindja e Mesme në Evropë, ai ishte gjithmonë një hap përpara, zhdukej për t'u rishfaqur në një fushë tjetër futbolli profesionist, shpesh duke përdorur një identitet të ri të rremë. Madje, ai ishte në gjendje që të jepte ryshfet për të dalë nga një burg i Dubait.

Në linjat telefonike të përgjuara, bashkëpunëtorët dhe punonjësit e tij i referoheshin vetëm si “El Jefe (Shefi i Madh). Kur udhëtonte, ndonjëherë maskohej si prift, në mënyrë që autoritetet të kishin më pak gjasa që ta merrnin në pyetje. Aq i fiksuar ishte me futbollin saqë dërgesat e tij të drogës i kodonte “Maradona”, sipas lojtarit legjendar argjentinas, dhe “Manchester”, sipas qytetit anglez me dy skuadra të famshme të Premier League.

Kur ndjehej i kërcënuar, përgjigjej dhunshëm. Ai i përshkruante me detaje vrasjet dhe mendonte shumë gjatë se çfatë do bënte me kufomat.

Por fiksim kishte futbollin! Madje erdhi shumë pranë nesh. Ndoqi skemën “shqiptare” për të pastruar para. Ai gjeti një ekip në Evropë që kishte lidhje me krimin. Atje shiste lojtarët e tij paraguaianë. Transferimi i lojtarëve të Amerikës Latine në skuadrat e mesme evropiane për tarifa të larta – të përballura nga shitësi, jo nga blerësi, u kthyen në një mënyrë gjithnjë e më e zakonshme e pastrimit të parave të drogës.

“Ata blejnë një lojtar kolumbian nga një ekip i nivelit shumë të ulët dhe më pas e dërgojnë për të luajtur në Ligën Kroate të Futbollit. Por, ata e shesin atë për 100 herë ose 200 herë më shumë se sa kushtoi,”- shpjegoi skemën një zyrtar i policisë kolumbiane, duke iu referuar një rasti në të cilin trafikantët shqiptarë të drogës pastronin para përmes të njëjtës mënyrë. Aktualisht, Marset mbetet i lirë, objektivi i një gjuetie të vazhdueshme, një nga më të gjatat në historinë e fundit të Amerikës së Jugut.

Por gjen kohë për t’u tallur me autoritetet.

"Unë jam shumë i zgjuar për ju. Nëse doni, vazhdoni dhe më kërkoni! Por unë po iu them se jam shumë larg jush. Jam gjithmonë një hap para jush!”/ZËRI

Poll

MOS HUMB