TIRANË-Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Enea Zyferin, i arrestuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur që prej 4 qershorit. Zyferi është kamarieri i lokalit në pronësi të Armand Shakaj, autori kryesor i dyshuar i ngjarjes. Zyferi u arrestua për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa ai ka mohuar të ketë përfshirjen në ngjarje. Para togave të zeza, ai ka rrëfyer se pronari i lokalit Armand Shakaj, i kishte kërkuar që të fikte dritat, ndërsa më pas nuk kishte dijeni se çfarë mund të kishte ndodhur pas largimit të tij. Kamarieri Zyferi thotë se një ditë më vonë, Shakaj i ka kërkuar edhe të lante makinën, në të njëjtën që hetuesit gjetën njolla gjaku dhe që dyshohet se mund të jetë transportuar Koçi. Por, çfarë ka dëshmuar vetë Shakaj, dy ditë pas kallëzimit të familjarëve për zhdukjen e Koçit. Sipas burimeve, në dëshmi, ai është shprehur madje i shqetësuar për zhdukjen e 34-vjeçarit, ndërsa mësohet se ka deklaruar se vetë ai i kishte treguar së fundmi për këcënime që i kishin ardhur për shkak të aktivitetit me call centera. Ndërkohë, pavarësisht, fikjes së dritave kamerat kanë arritur të filmojnë dhe kanë dokumentuar lëvizjet e dyshimta të Shakajt. Ky i fundit ndodhet në kërkim si autori kryesor për pengamarrjen dhe zhdukjen e Eglant Koçit. Ndërkohë, policia vijon kontrollet për gjetjen e trupit të 34-vjeçarit, por deri më tani nuk ka asnjë rezultat.
/ZËRI