TIRANË- Këshilli i Mandateve do të mblidhet më datë 23 shkurt ora 10:00, për të shqyrtuar imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Mbledhja vjen pasi në 6 shkurt Gjykata Kushtetuese nuk konsideroi faktin që një ministër ka imunitet njësoj si deputeti dhe nuk mund të pezullohet. Në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se ministri nuk hyn në kategorinë e personave të zgjedhur, siç janë deputetët dhe imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin. Kështu, u rikthye masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025. Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, ajo u pezullua nga detyra si zv/kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në kuadër të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.
/ZËRI