
GAZA- Dalin pamjet e momentit kur ushtarët e Hamasit lirojnë 2 nga pengjet e marra në Izrael. Një prej tyre është edhe 85-vjeçarja, Yocheved Lifshitz, e cila teksa lirohet, kthehet edhe njëherë pas për t'i dhënë dorën një prej ushtarëve të Hamasit dhe duke i thënë "shalom", një përshëndetje hebraike që do të thotë "paqe".
Lifshitz u la e lirë së bashku me 79-vjeçaren Nurit Cooper mbrëmjen e së hënës. Dy gratë dhe burrat e tyre u rrëmbyen nga shtëpitë e tyre në kibutz të Nir Oz pranë kufirit të Gazës më 7 tetor. Por bashkëshortët e tyre, të cilët janë 83 dhe 84 vjeç, nuk u liruan.
“Ndërsa nuk mund ta shpreh me fjalë lehtësimin se ajo tani është e sigurt, do të mbetem e fokusuar në sigurimin e lirimit të babait tim dhe të gjithë atyre – rreth 200 njerëzve të pafajshëm – që mbeten peng në Gaza,” tha vajza e Lifshitz, Sharone Lifschitz. Lifschitz, një artiste dhe akademike në Londër u tha gazetarëve javën e kaluar se prindërit e saj ishin aktivistë të paqes dhe babai i saj do të shkonte me makinë në kufirin e Gazës për të çuar palestinezët në Jerusalemin Lindor për trajtim mjekësor.
Hamasi me sa duket nuk mori asgjë në këmbim të lirimit të pengjeve, të cilët u lanë të lirë disa ditë pasi u liruan edhe një grua amerikane dhe vajza e saj adoleshente. Hamasi dhe militantët e tjerë në Gaza besohet se kanë marrë peng rreth 220 persona, duke përfshirë një numër të pakonfirmuar të huajsh dhe persona me dy shtetësi./Zëri.ai