
TIRANË- Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka vendosur të ndryshojë rregullimin e kriterit të mesatares së lëndëve, duke hequr kërkesën për notë mesatare mbi 8 të lëndëve kryesore. Me ndryshimin e tre ditëve më parë, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka mundësuar që edhe të diplomuarit si juristë që nuk arrijnë këtë kriter të munden të jenë pjesë e trupës së magjistratëve të rinj, nëse zgjidhen si fitues. Këshilli Drejtues ka vendosur të ndryshojë edhe dispozitat lidhur me provimin e fazës së dytë në mënyrë që provimi i pranimit të zhvillohet në dy ditë. Në një reagim publik pas vendimit, Qëndresa Qytetare, një organizatë që lufton për cilësi në arsimin e lartë, e cilësoi vendimin e Shkollës së Magjistraturës të gabuar.