TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Lidhur me vendimin e Kushtetueses, ku në unanim 8 gjyqtarët u shprehën se imuniteti i ministrit nuk përfshin pezullimin, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama ka bërë të ditur se do të kërkohen ndërhyrje ligjore. Konkretisht, ndryshimet pritet të përfshijnë nenin 242, paragrafi 2, të Kodit të Procedurës Penale, i cili u garanton imunitetin të zgjedhurve, ku të specifikohet edhe për ministrin. Nëse bëhet ky ndryshim ashtu si dhe deputetët edhe një anëtar i qeverisë nuk do të mund të pezullohet apo kontrollohet nga SPAK-u pa autorizim të Parlamentit. Sa i përket kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit lidhur me arrestimin, Rama shprehet se nuk ka asnjë urgjencë që Këshilli i Mandateve të Mblidhet për t’i hequr imunitetin Ballukut. Por, nga ana tjetër, Komisioni Evropian në një prononcim të fundit, është shprehur se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.Kryeministres, Belinda Balluku. ‘Topi’ tani i kalon Apelit për të vlerësuar nëse do ta mbajë në fuqi pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë që ka vendosur shkalla e parë. Nëse ndodh që Apeli ta lejë në fuqi, Balluku mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
/ZËRI