
TIRANË-Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Punonjësi i policisë Erjon Goxhara ka qëlluar me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, i cili është dërguar me urgjencë drejt spitalit. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se plagosja ka ndodhur për motive xhelozie. Kosta dyshohet se i ka ngacmuar partneren efektivit të policisë, i cili ka qëlluar më herët me breshëri plumbash. Goxhara më herët ka qenë komandant i repartit Shqiponja, ndërsa aktualisht punonte si punonjës i policisë kufitare. Plumbat e kanë kapur Kostën në zonën e këmbëve. I plagosuri, drejtor i Zyrës së Monitorimit të Tregut të Energjisë Elektrike, ka humbur sasi të madhe gjaku, ndërsa ndihma e parë i është dhënë nga turistët. Nga vendi i ngjarjes, kryepolici i Tiranës Tonin Vocaj tha se ka komunikuar me efektivin dhe i ka bërë thirrje të vetëdorëzohet duke njoftuar njëherazi se nuk do të jetë më pjesë e uniformave blu.
/ZËRI