TIRANË- Kuvendi u mblodh këtë të enjte në atë që duhet të ishte seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. Por, ndryshe nga ç’ishte parashikuar Kuvendi nuk i mbylli punimet këtë të enjte, dhe në ditët në vijim do të njoftohet një tjetër seancë. PD kërkoi zgjatjen e afateve për “Territorialen”, ndërsa mazhoranca e rrëzoi në Kuvend. Ndërkohë, paralelisht me Kuvendin, qytetarët u mblodhën në protestë jashtë godinës së Parlamentit. Tensione u regjistruan mes policisë dhe qytetarëve, ku janë raportuar 17 të lënduar nga të dyja palët. Ndërkohë debate në lidhje me protestën janë zhvilluar edhe gjatë seancës. Mes tensioneve dhe kaosit, mazhoranca votoi e vetme 7 projektrezoluta të institucioneve kushtetuese, 2 akte normative dhe 15 projektligje. Gjatë procesit të votimit, Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca pasi hodhi ujë në drejtim të shefit të qeverisë Rama. E njëjta situatë u përsërit teksa kryeministri Rama nisi të largohej dhe deputetët e opozitës gjuajtën me shishe uji dhe kartona drejt tij. Opozita vijoi protestën duke mbajtur të bllokuar foltoren e Kuvendit, ndërsa braktisi dhe sallën, disa minuta para se kryeparlamentari Niko Peleshi të lajmëronte përfundimin e seancës së kësaj të enjteje. Ndërkohë, pas mbylljes së seancës, të tjera tensione shpërthyen në ambientet e jashtme, ku protestuesit qëlluan me vezë makinat e deputetëve teksa këta të fundit, po largoheshin nga Kuvendi.
/ZËRI