
TIRANË- Për 24 orë Bashkia e Tiranës ka përjetuar një kolaps duke mos mundur të prodhojë asnjë shkresë zyrtare për shkak të disa lëvizjeve të raportuara. Fillimisht në media u publikua dokumenti që tregonte se si kryebashkiaku Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit kishte shkarkuar kryetaren e komanduar Anuela Ristani, për ta zëvendësuar me Sara Goxhajn. Më pas u raportua se kryeministri Edi Rama nuk ka qenë dakort me këtë lëvizje dhe ka kërkuar rikthimin e Ristanit. Por, të gjitha këto raportime kryebashkiaku i arrestuar i hodhi poshtë. Përmes një postimi, Veliaj u shpreh se me Ramën nuk ka asnjë përplasje dhe se përsa i përket shkarkimit të Ristanit shton se ka firmosur një ridelegim me "idenë e gabuar" se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues. Si përfundim, Ristani do të vazhdojë që të qëndrojë si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës. Nga kryeministri Edi Rama nuk ka ende asnjë reagim.