SHBA- Finalja e Botërorit të Klubeve përfundoi me përplasje të ashpra mes futbollistëve të Chelsea dhe Paris Saint-Germain, pas fitores 3-0 të londinezëve. Ndeshja u shoqërua me tensione pas vërshëllimës përfundimtare, ku trajneri i PSG-së, Luis Enrique, u përfshi në një incident fizik me sulmuesin e ri të Chelsea-t, Joao Pedro.
Pamjet tregojnë Enriquen duke tentuar të përmbahet nga lojtarët por edhe nga portieri Donnrumma, por sërish qëllon në fytyrë Pedron, i cili bie në tokë. Edhe pse pamjet janë të qarta, Enrique mohoi se kishte qëllim të godiste apo të lëndonte lojtarët e ekipit kundërshtar.
“Në fund të ndeshjes ndodhi një situatë që ishte krejtësisht e shmangshme nga të gjithë. Qëllimi im ishte të ndaja lojtarët, për të shmangur përshkallëzimin. Kishte shumë tension dhe shumë presion, ndaj pati shtyrje nga shumë njerëz. Këto janë situata që s’duhet të ndodhin më.”
E gjitha nisi kur Achraf Hakimi iu drejtua me gjeste provokuese Pedro-s dhe Andrey Santos, duke sinjalizuar se “flasin shumë”. Por kaq mjaftoi dhe situata doli jashtë kontrollit, pasi lojtarët e të dyja skuadrave u përfshinë në debate dhe përplasje fizike në fushë./ZËRI