TIRANË- Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për të pandehurit e dosjes së parë Metamorfoza. Në total Gjykata dha 38 vite burg për 5 anëtarët e Metamorfozës. Lirimi i menjëhershëm është vendosur për ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-kreun e operacionales Oltian Bistrin. Konkretisht Xhevair Lita u dënua me 5 vite burgim, me gjykim të shkurtuar zbret në 3.4 vite, shuarje të masës arrest ne burg, lirimi menjëhershëm për shkak se e ka shlyer dënimin. Ndërkohë Oltian Bistri- ish-kreu i Operacionales, u shpall i pafajshëm për korrupsion, fajtor për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, i pafajshëm për pastrim parash pasi nuk ka fakte e prova dhe u dënua 2 vite, të cilat i ka shlyer. Behar Bajri, dënua me 13 vite burg, dhe do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg. Bajri u shpall fajtor për sigurim të kushteve për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Dorian Dulit dhe korrupsion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Boksieri Astmer Bilali do të qëndrojë 5.8 vite qeli, nga 8 vite e gjysmë që u dha nga gjykata. Bilali akuzohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Ibrahim Licit, Genc Tafilit dhe Dorian Dulit. Për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-prokurorin Ardit Hasanbegaj, gjykata nuk shpalli vendim, pasi avokatët e tyre nuk paraqitën mbrojtjen. Vendimi për ta pritet të jepet më 2 dhjetor.
/ZËRI