TIRANË- Sot ka nisur viti i ri shkollor në të gjithë vendin. Mbi 340 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollës, ku rreth 25 mijë fëmijë nisin për herë të parë klasën e parë. Në vitin shkollor 2026–2027, 53 shkolla të reja hapën dyert për nxënësit, ndërsa për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”. Ministrja e Arsimi, Mirela Kumbaro, uroi nxënësit për një vit të mbarë shkollor dhe renditi punën e institucionit për të siguruar kushte dhe mjedis të ngrohtë për nxënësit. Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjithashtu i uroi nxënësit për vitin e ri shkollor, teksa ndau pamje nga disa prej shkollave të rikonstruktuara këtë vit. Në nisje të vitit shkollor reagoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili uroi nxënësit, duke theksuar gatishmërinë e Policisë së Shtetit për një ambient të sigurtë në shkolla dhe ftoi nxënësit që të kërkojnë ndihmë nëse përballen me shqetësime. Ndërkohë, dita e parë e shkollës shtoi fluksin e automjeteve dhe për pasojë shkaktoi trafik të rënduar në akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa situata pritet të vijojë edhe gjatë ditëve të tjera të javës së parë të vitit shkollor.
/ZËRI