
TIRANË- Kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, i cili u vu në pranga akuzohet për ndikim të paligjshëm të funksionarëve publike. Sipas SPAK, Zarka me bashkëpunëtorët e tij kanë tentuar që të ndërhyjnë në 8 procedime penale, 4 prej të cilave janë fraksione të dosjes së ‘Toyota Yaris’, si dhe hetimin pasuror ndaj Suel Çelës. Bëhet fjalë për 3 personat e tjerë që janë përfshirë në korrupsion së bashku me Zarkën, por që nuk janë arritur që të vihen në pranga, ish-oficeren e krimeve të rënda Eriona Dautaj, aktualisht studente në shkollën e Magjistraturës, si dhe biznesmenin Astrit Vladi e avokatin Radovan Çela.
Më konkretisht, sipas SPAK, me ndihmën dhe ndërhyrjen e Zarkës, Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për 3.4 mln eurot e gjetura në Portin e Durrësit në një automjet “Toyota Yaris” 6 vite më parë, është ushtruar ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, përmes ryshfetit në mënyrë që të shamngeshin akuzat e rënda ndaj kushërinjve Vladi dhe hetimi i pasurisë së tyre. SPAK thotë se e njëjta gjë ka ndodhur dhe në momentin që ka nisur hetimi pasuros ndaj Suel Çelës alias Marius Lulaj. Në rastet e përmendura është edhe një qytetare e akuzuzar për vjedhje, si dhe çështja penale në ngarkim të Altin Veizaj që akuzohej për kultivim kanabisi. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi personat e përfshirë në këtë dosje, dalin në përgjimet e “Sky ECC” si të implikuar në mbylljen e çështjeve të tjetërsimit të pronave në Himarë e Dhërmi.