
TIRANË- Pas një seance maratonë në sallën e Kuvendit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, me shumicë votash deputetët miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku më kryesoret janë hapja e listave me 2/3 e tyre, si dhe vota e diasporës. Pas paktit të arritur në grupin e dialogut mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të udhëhequr nga Berisha, ndryshimet u miratuan në Kuvend me votat pro të 106 deputetëve, dhe 2 kundër.
Fillimisht gjatë votimit në parim, ndryshimet në Kod u miratuan me 105 vota pro dhe 8 vota kundër nga opozita konkretisht Enkelejd Alibeaj, Lulzim Basha, Dashnor Sula, Seladin Jakupllari, Merita Bakiu, dhe aleatëve Dashamir Shehi, Agron Duka e Fatmir Mediut.
Me votat kundër të mazhorancës dhe mospjesëmarrjen në votim të grupit të PD-së u rrëzuan edhe propozimet e Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës. Ndërsa u miratuan në bllok përfshirja me detyrim e kuotës gjinore si në listat e hapura ashtu edhe ato të fiksuara.
Drafti në terësi mori 106 vota pro dhe dy kundër të deputetëve Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula. Në sallë vijuan të qëndrojnë deputetët e PL që votuan pro, duke konfirmuar kështu aleancën me Partinë Demokratike që drejtohet nga Berisha.