SHKODËR- Një konflikt mes dy të rinjve, në Shkodër, përfundoi me vdekjen e njërit prej tyre, 24-vjeçari Ylber Luli. Ngjarja e rëndë u ndodhi rreth orës 05:30 të së martës në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në qytetin e Shkodrës, pikërisht në banesën e viktimës. Sipas burimeve, konflikti mes dy të rinjve ka nisur fillimisht gjatë orëve të natës në një lokal në zonën e Gjuhadolit që dyshohet se lidhej me një vështrim mes tyre. Pas sherrit verbal, 24-vjeçari është parë duke qëndruar deri në orët e vona jashtë banesës me një person tjetër dhe është futur në shtëpi rreth orës 02:00 pas mesnate. 3 orë më vonë, 25-vjeçari Vulaj ka shkuar në shtëpinë e tij me pretendimin për t'u sqaruar. Gjatë debatit, janë përleshur fizikisht, ku ka ndërhyrë dhe babai i viktimës, Qamil Luli, 63-vjeç. Mësohet se Andri Vulaj u plagos me thikë, e me pas në konflikt e sipër ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të tyre. Për pasojë, është plagosur 63-vjeçari, ndërsa djali i tij humbi jetën në spital. 25-vjeçari është ndaluar menjëherë pas ngjarjes, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në vrasje.
/ZËRI