SHBA- Shtëpia e Bardhë është në qendër të një skandali pas publikimit të disa mesazheve të shkëmbyera në një grup privat në aplikacionin Signal ku anëtarë janë zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mes të cilëve edhe Zëvendëspresidenti James David Vance. Ligji në SHBA thotë se ky aplikacion është i ndaluar të përdoret nga zyrtarët, por kjo gjë u zbulua pasi kryeredaktori i Atlantic, Jeffrey Goldberg, mori një ftesë për tu bashkuar në këtë grup dhe pasi e pranoi, u përball me mesazhet që flisnin për një sulm që po planifikohej për tu realizuar në Jemen.
Më 15 mars, bota mësoi se amerikanët po bombardonin rebelët jemenas, por Goldberg thotë se e dinte për këtë informacion dy orë para se të ndodhte dhe të bëhej publik. Ai është shprehur se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ka dërguar një mesazh me planin e detajuar, me objektivat, llojet e armëve dhe kohën e saktë të sulmit. Mesazhi për planin e sulmit mori dhe replika, mes tyre lexohet dhe kundërshtimi i Zëvendës Presidentit Vance që shkruan se nuk i pëlqen ideja e “shpëtimit të Evropës”. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth duket se ia mbështet mendimin. Presidenti i SHBA Donald Trump është shprehur se nuk ka dijeni për bisedën në grup.