
TIRANË- Mariglen Qato, ish-drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës, Redi Molla, ish-drejtori i UKT-së dhe Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës janë vënë në pranga pasi SPAK ka lëshuar urdhër arrestet për ta. Tusha ndodhet aktualisht në burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ndaj masa i është komunikuar në qeli.
Gjashtë persona të tjerë, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Elantina Zere dhe Deborah Keçi janë lënë në masën ‘detyrim paraqitje’. SPAK ka nisur hetimin pas kallëzimit të dorëzuar nga Belind Këlliçi, ish-kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Sipas njoftimit të SPAK, për katër vite rresht që Molla ka qenë në krye të “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka shpallur fitues kompaninë “5D Konstruksion” kur në fakt pronarët e vërtetë ishin ai dhe Mariglen Qato. Kompania është regjistruar me emrin “Igor Electrik”, më pas e ka ndërruar në “V.A.S Construction” dhe në fund në “5D Construction”.
“5D Construction” ka fituar të paktën 16 tendera në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e varësisë, përfshirë Ujësjellës-Kanalizime dhe “Tirana Parking”, me një vlerë prej afro 11 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, Eduart Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhamellari, si ortakë fiktiv, me të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. Madje, në katër procedura, kur Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë”, ka patur edhe cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qenë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për kompaninë e tij.
Tushe, nga ana tjetër akuzohet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” dhe e ka favorizuar.
Elantina Zere në cilësinë e titullares së “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion”. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Debora Keçin, në cilësinë e titullares së Klubit Sportiv “Tirana”. Si Zere dhe Keçi kanë pasur komunikime direkte me Muhamellarin, administratorin e “5D Konstruksion”. Vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion”, pasi Muhamellarit i kanë dhënë user-at e anëtarëve të KVO-së.
Mariglen Qato është një emër i njohur në media pasi u emërua fillimisht si Drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike Nr.2 dhe më pas si Drejtor Departamenti pranë Ujësjellësit të Tiranës. Në vitin 2018, ai u emërua Kryeinspektor i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë, post që e mbajti deri pas zgjedhjeve të 14 majit të vitit 2023. Ndërsa Deborah Keçin e kemi parë të garojë dhe si pjesë e yjeve në spektaklin “Dancing With the Stars”.