TIRANË- Shtesa natyrore e popullsisë u përmirësua në tremujorin e tretë të vitit 2025, falë rënies së numrit të vdekjeve, por lindjet vijojnë të pakësohen. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se Shqipëria po përballet me një rënie të vazhdueshme të lindjeve, e cila nuk kufizohet më vetëm në zonat e thella apo rurale, por po shtrihet në gjithë territorin. Në nëntëmujorin e vitit 2025 kanë lindur gjithsej 16,052 foshnja, me një rënie prej 4.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve, por ka shënuar një tkurrje të lehtë prej 2.2% në nëntëmujorin e 2025 krahasuar me vitin 2024. Nga ana tjetër, Korça ka shënuar rënien më të fortë të lindjeve në vend, me -16.8% në nëntëmujorin e 2025. Rënie kanë regjiatruar edhe Elbasani, Fieri, Durrësi, Shkodra, Dibra dhe Vlora, ndërsa Berati ka shënuar një rritje të lehtë, ndërkohë që Gjirokastra, Kukësi dhe Lezha kanë pasur ndryshime minimale.
/ZËRI