
MOSKË- Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny ka ndërruar jetë në burg. Lajmin e kanë bërë me dije zyrtarët e burgut në një deklaratë për mediat. Shërbimi i burgjeve nuk e ka përcaktuar shkakun e vdekjes, por mediat botërore e raportojnë si një vrasje politike duke ia atribuuar presidentit Putin. Navalny, 47 vjeç, ka qenë një nga kritikët më të dukshëm dhe këmbëngulës të presidentit rus Vladimir Putin. Ai po mbahej në një burg rreth 40 milje në veri të Rrethit Arktik, ku ishte dënuar me 19 vjet burg nën një "regjim të veçantë". Në një video nga burgu në janar, ai shfaqej i dobësuar dhe me kokën e rruar.
Lidhur me vdekjen e tij, Kremlini tha se nuk kishte informacion për shkakun, por shtoi se ai thjesht ishte ndjerë keq gjatë një shëtitje. Në karrierën e tij si politikan, Navalny kulmin e pati në vitin 2013, kur ai fitoi 27% të votave në një garë për kryebashkiak të Moskës. Ai mbeti një gjemb në këmbë për Kremlinin për vite me radhë, duke zbuluar një pallat të ndërtuar në Detin e Zi për përdorim personal të Putinit, pallate dhe jahte të përdorura nga ish-presidenti Dmitry Medvedev dhe një punëtore seksi që lidhte një zyrtar të lartë të politikës së jashtme me një oligark të njohur. Në vitin 2020, Navalny përfundoi në koma pasi u helmua me novichok nga shërbimi rus i sigurisë.
Ai u evakuua në Gjermani për trajtim. Pasi u shërua, ai u kthye në Rusi në janar 2021, ku u arrestua me një akuzë për shkelje të lirimit me kusht. Teksa rivalin e kishte në burg, Putini ka nisur së fundmi një fushatë presidenciale për mandatin e tij të pestë në detyrë. Ai është tashmë lideri rus më jetëgjatë që nga Jozef Stalin dhe mund ta kapërcejë atë nëse kandidon sërish për post në vitin 2030.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI