TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Mirditë, ku Valter Lleshi u ekzekutua me armë zjarri brenda automjetit të tij tip “Toyota” në fshatin Shkorret mëngjesin e 15 qershorit. Hetuesit dyshojnë se lëvizjet e viktimës janë ndjekur që nga momenti kur ai ka dalë nga banesa dhe autorët janë sinjalizuar për itinerarin e tij dhe i kanë zënë pritë në një kthesë. Lleshi është qëlluar nga një distancë e afërt, duke marrë plagë të shumta në kokë dhe fytyrë. 45-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe së bashku me një koleg pune ishte nisur drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku punonte. Rreth dy kilometra para vendit ku ndodhi krimi, pasagjeri ka zbritur në një lokal, ndërsa 45-vjeçari ka vijuar rrugën i vetëm. Ky ka qenë edhe momenti ku Lleshi është ekzekutuar. Lleshi dyshohet se ka qenë i implikuar në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen në vitin 2020, ngjarje që asokohe u lidh me hakmarrje për prishje të pazareve të drogës.
/ZËRI