
TIRANË- Artan Tafani, njeriu që ka zbardhur të paktën 17 krime të kryera nga banda e Laert Haxhiut duke u kthyer në një të penduar të drejtësisë, po dëshmon për herë të parë në Gjykatën e Posaçme. Tafani ka dalë përballë prokurorit Behar Dibra, i cili i ka kërkuar të rrëfejë rrugëtimin e tij jetësor, kriminal dhe lidhjet me grupin në Lushnje. Tafani e ka nisur që nga fëmijëria, jetesa në Greqi dhe vrasjen e babait të tij.
Dëshmia e Tafanit: Në 1997 me vranë babanë në fshatin Karbunarë dhe ika me nënën në Greqi. Isha i vogël, kishim një biznes familjar me materiale ndërtimi. Fillimisht punova punë të ndershme në Greqi me bojëra, lyerje. Në 2006 që erdha në Lushnje nga Greqia punova me xhaxhain punë ndërtim dhe lyerje. Më pas kam ikur prapë në Greqi. Kam qenë emigrant atje, jam marrë me drogë. Pastaj jam kthyer në Shqipëri, ku në vitin 2015 u arrestova për vjedhje. Kisha probleme ekonomike, e vuajta dënimin ne burgun e Rrogozhinës dhe Kosovës në Lushnje. Kam qenë dhe përdorues droge.
Në paraburgim, Tafani thotë se është njohur me disa djem nga Lushnja, të cilët kishin marrë pjesë në plagosjen e Xhulio Shkurtit, nipit të Alfred Shkurtit, të njohur ndryshe si Aldo Bare.
Dëshmia e Tafanit: Në paraburgim jam njohur me disa çuna nga Lushnja, erdhi një Lulzim Spahiu pas ngjarjes ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe arma u gjet tek stani i babait të Laert Haxhiut, zotit Qamil Haxhiu. Pas Lulzimit erdhi dhe Qamili aty. Me Lulzimin kemi ndenj aty, pasi dola nga burgu e kam takuar te një karburant, i Saimir Taullahut. Pasi dola nga burgu me dërgoi fjalë Klajd Taullahu me tha do të të takojë Lulzimi. Donte të bënim ndonjë puna me mall, pastaj u takuam tek Palma Nova me Laert Haxhiun, ishte hera e parë që e takoja, Anterio Kaloshin e kisha në burg ne Rrogozhinë, un vetë kam dhe emrin tjetër Marius.
Takimin e parë me Laert Haxhiut, Tafani e përshkruan si të frikshëm. Ai thotë se gjatë gjithë kohës ndjente presion, pasi Haxhiu e kishte kuptuar që ai kishte probleme ekonomike dhe varësia ndaj drogës dhe ndaj e përdorte për ngjarje të ndryshme kriminale. ‘Puna’ e parë që bëri për Laert Haxhiun ishte një vendosje tritoli.
Dëshmia e Tafanit: Për Laertin kisha dëgjuar vetëm në TV, nëpër lajme. U nisëm për në Dajt, u ulëm tek një restorant. Laerti më mori jashtë, tha: “Hajde flasim pak jashtë.” Atë natë ndenjëm atje në Dajt, morëm një tip suite. Unë u tremba në fakt, se thashë pse më morën mua këta, kur pashë Laert Haxhiun. Më tha: “Do bëjmë ndonjë punë, do të ndihmoj unë me ndonjë mall.” Por punë kështu transporti, punë të jashtëligjshme. Ai mesa duket e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen Laerti dhe Ligori ikën për Korçë. Unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin dhe ikëm në Lushnje. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, 500 të tjera mi dhanë pas nja 2-3 ditësh. Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnje, pasi i kishin dhënë mall njeriut dhe ky s’i kishte dhënë lekët. Donin t’ja bënin në formë presioni. I thashë dakord, ca të thoja, që nga dita parë që i takova kishte një lloj presioni mbi mua, s’dija si t’ua shpjegoja. Rrugës, kur zbritëm, Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. Unë e kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit. Nisëm për Lushnje me vendos tritolin, kisha bërë edhe planin. Vendosa 100 gram tritol. Mu duk sikur kjo ishte prova që këto do shikonin nëse bëja punë unë apo jo. E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa në derën e banesës, ishte në katin e parë të një pallati. Isha në këmbë, kalova nga shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin.
Artan Tafani ka rrëfyer dhe mënyrën se si është përfshirë në vrasjen e Çajup Selimit në Tepelenë, një krim që ai thotë se ishte ‘dhuratë’ për një mik të vjetër të Laert Haxhiut nga Greqia. Ai shprehet se vrasja u planifikua nga vetë Haxhiu dhe që do ta kryente në bashkëpunim me Ligor Romaçkan, por ky i fundit nuk e kishte takuar dot pas krimit. Tafani thotë se nuk arriti të gjente dot rrugicën sipas planit dhe përfundoi duke e takuar Ligorin shumë më vonë. Për këtë gjë, Laert Haxhiu e kishte ndëshkuar Ligorin duke mos i dhënë para për vrasjen. Ndërsa Artan Tafanin e kishte shpërblyer me 25 mijë euro.
Dëshmia e Tafanit: Bledari ishte shoku i Laertit, e donte shumë si vëllain e vet. Kemi shkuar te shpia e këtyre çunave, jemi takuar shumë herë. Shkuam te një lokal në një fshat, kishin marrë nja dy miq që këndonin, nja dy goca, Berberi, Romaçka, unë, Lubja, një çun me “X5”, s’mbaj mend. Morëm me ngrënë me pirë, muzikë. Hajde dalim pak jashtë më thotë Laerti. Ore më thotë do bësh naj punë? I them ti e di! Ça di të bësh, i them kam vjedh, jam marr me mall skam bërë naj gjë të madhe. Ça do t’bësh më tha? I them s’ma merr mendja që më do mua për ato punë. E kisha në kontekstin për të vrarë njerëz, ku dija unë për ça më donte, naj shofer naj lart e poshtë. Mos e thuaj këtë thotë ai, të gjithë kemi nevojë. Më mori me të mirë, në qafë kshu, dhe u futëm brenda. U mbyll ajo darkë, ikëm secili punë të vet. Me Ligorin e Laertin ikim sërish te hoteli në Dardhë. Unë kat dytë, Ligori poshtë meje, si ato krevatet e fëmijëve, Laerti në krevat dopio. Më thotë Laerti do bëjmë një punë? Aty hapet nuhabeti i vrasjes së Çajup Selimit, në Tepelenë. Se prisja, nga momenti i parë isha në presion, më tërhiqte në një cep, se di si ia arrinte. Zërin e gojës se nxirrnim kur fliste ai, rrinin pinc para tij. Do ta bësh më thotë mua? S’ma tha emrin atë natë. Emrin e mësova pasi u bë puna. Do i bësh nderë një njeriut tonë më thotë. U shtanga. Unë do e bëja Ligori do më ndihmonte, më tha ç’ke më ke mua nga mbrapa. E pranoj, ju e dini thash, në mendjen time e mendoja momentin që ikja nga aty. Ai atë donte “po”-në. Unë gjithmonë në terror, frikë. Mbaron ajo natë, të nesërmen, ikim për Lushnje. Më tha atë natë Laerti do e bëjmë për nder jep 50 mijë euro, unë 25 Ligori 25. Isha në Vlorë me të shpis me kalamajt me makinë me qera. Më merr Lulzimi, po kthehesha në Fier nga Vlora. Tha nxito për në Lushnje. E takoj në Lushnje. Nxitojmë më thotë, se na pret një shok, se për ça na donte në Elbasan. Iki vetë i them nëse duhet, ça do bësh ti. Tre herë kam ikur në atë vend, dy herë më kanë marrë çunat. Emrin e mësova në lajme pasi u krye puna. Laerti më tha se do bëhej ajo puna në Tepelenë. Erdhi e dashura e Laertit me gjithë shoqen e vet, do shkoja unë me Ligorin mgjes të nesërmen. Merrnim makinën e gocave që Ligori të më tregonte ku ishte kush ishte si ishte. Mua mi thonin në momentin e fundit. Unë dija se po iknim me pushime, përfundonim në vrasje. Nderi do i bëhej mikut të Laertit që jetonte Greqi. Viktima kishte një dyqan. Ma tregon Ligori nga larg që ky është. Vajtëm deri te shpia larg më tregoi rrugën dhe shtëpinë e Çajup Selimit. U kthyem prap në Sarandë, takojmë Laertin, gocat marrin makinën. Pasi shkova te pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë, si Benz, si ajo që kishte ai. Isha ballë për ballë me të, kisha maskë COVID-i dhe një kapele. Po më shikonte dhe pati si një dyshim. U fut në hyrje të pallatit, u ngjit në katin e parë, pastaj në të dytin. Unë isha pas tij. Ishte qeros dhe unë i njihja edhe rrobat që kishte veshur atë ditë – kishte një bluzë të kuqe. Aty e qëllova nga pas. E qëllova tre herë – një herë në shpatull dhe dy herë të tjera, por nuk e di saktësisht ku e kapën plumbat. Ika me vrap në drejtim të zonës së Burgut të Bënçës. Rashë në disa ferra aty jashtë qytetit. Armën e kisha me vete – një “Zastava” ose një “Bereta” e vogël, me silenciator. Nuk po gjeja rrugicën që të dilja sipas planit. Duhej të dilja te lumi Vjosa, ku do të më priste Ligori. Ligorin e takova pas 1-2 orësh te shtëpia e xhaxhait të Erisianit. Sipas planit që kishim bërë me Laertin, do të na priste xhaxhai i Erisianit. Ligori kishte fikur celularin, ndërsa unë u fsheha pas një shkëmbi – kisha frikë. Makinat e policisë po patrullonin në zonë. Ishte hera e parë për mua. Te shtëpia erdhi dhe Ligori më pas, i çjerrë nga duart, siç dukej kishte rënë edhe ai në ferra. Laerti u acarua me Ligorin. Më tha mua: “Si të la ai vetëm, do ja tregoj unë atij. Armën e hodha në lumin Vjosa. Laerti na kishte udhëzuar më parë se si të vepronim edhe me celularët dhe rrobat. Rrobat i dogjëm në një fuçi. Më pas vazhduam rrugën për në Memaliaj, duke kaluar nga mali dhe zbritëm në këmbë deri te një urë. Aty hipëm në një furgon të rastësishëm dhe u nisëm për në Tiranë. Gjatë rrugës, Laerti tha që Ligori të shkonte në Korçë. Te “Klubi i Shoferit” u ndamë. Unë shkova në Tiranë, tek një hotel në zonën e Astirit ku ishte Laerti. Ai ishte bashkë me Lulëzim Arapin. Kur mbërrita, Laerti më bërtiti pse kisha telefonuar xhaxhain në numrin normal dhe jo në WhatsApp. Më ofendoi dhe më shau. Vetëm një gabim të bëje, ai e “lëshonte” menjëherë gjuhën. Për vrasjen mora 25 mijë euro pas një jave. Kurse Ligori nuk i mori, sepse Laerti nuk ia dha.
Një tjetër episod i rrëfyer nga Tafani ka qenë edhe vrasja e Klisman Xhaferri, i riu që u ekzekutua në Korçë. Sipas Tafanit, informacionin e kishte dhënë Ligori i cili i kishte rrëfyer Laert Haxhiut se Xhaferri kishte folur në celular me dikë për punë “malli”. Fridmani sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit dhe akuzohej për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga Laert Haxhiu, të cilin e ka dhe kushëri.
Dëshmia e Tafanit: Ligori mori në celular Laertin dhe i tha se Fridman Xhaferri ka folur në celular me dikë për punë malli. Neve, siç ishim tek hoteli, na tha Laerti: “Çohuni se do ikim Korçë ta vrasim.” Kur u nisëm për Korçë, unë, Laerti dhe Lulzimi, ky i fundit mori një pistoletë nga një garazh ku mbanin armë këta dhe një makinë me portobagazh. Ndaluam në Pogradec, ku takuam Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin, i morëm në makinë. Laerti kërkonte gjatë rrugës vend ku do hidhej trupi, edhe Bledari kishte chat email. Pamë një rezervuar. Rrugës bënin dhe shaka, Marigleni i thoshte Laertit: “O lala, ma le ta bëj unë, të mësoj dorën.” Për çdo gjë që ndodhte, Bledar Berberi e merrte vesh dhe e dinin që unë sapo kisha bërë vrasjen në Tepelenë. Unë isha i mpirë. Në makinë, Laerti i tha: “Do e vrasim Fridmanin.” Marigleni dhe Bledari zbritën më pas nga makina. Ne vijuam për në Korçë. Në një rezervuar që shkuam, Laerti nuk e pëlqeu vendin, ja rekomanduan Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi. Në Korçë shkuam unë, Laerti dhe Lulzimi. Shkuam te shtëpia e Ligor Romaçkës. U nisëm për te rezervuari i Gjanqshit, na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu. Lulzimin e lamë aty, shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine. E morëm Fridmanin në makinë, po s’i thamë gjë ku do shkonim. I thamë: “Do paketojmë hashash.” Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: “Po qysh ishte ai muhabeti që ke thënë ‘do flas po s’më nxorët nga burgu’?” Ai tha: “Jo”, qante i shkreti. Lutej: “O Marius,” më thoshte, “thuaj të më falë.” Gjuajti njëherë Lulzimi me e kap në kokë. Ai luajti kokën. Pastaj Laerti i tha Lulzimit: “Vrite.” I gjuajti mbrapa kokës. Po ai lëvizte akoma, merrte frymë akoma. Pastaj i ramë me atë gomën. E lidhën me litar dhe e futën në rezervuar. E lidhën trupin edhe me gomë që ta fundoste në ujë. Njëherë e nxori në sipërfaqe, pastaj e lidhëm me gurë dhe e hodhën brenda.
Dinamika e vrasjes së Elton Mermalit ka qenë vrasja e radhës për të cilën ka folur Tafani. Si të gjithë të tjerët, edhe vrasjen e Mermalit, të njohur ndryshe si ‘kinezi’ e kishte porositur Haxhiu pasi ishte i bindur se ishte i përfshirë në vrasjen e xhaxhait të tij.
Dëshmia e Tafanit: Laerti na tha që do më sillni Elton Mermalin. Ka qenë i bandës së Aldo Bares, donte ta vriste. Gjatë kohës që ishte në Greqi, thoshte për Mermalin se ai sapo kishte dalë nga burgu, ishte përdorues. Nuk ishte mirë ai, bridhte rrugëve. Unë e njihja, sepse e kam pasur në paraburgim atë çunin. Na tha Laerti: "Nisuni për Lushnjë, do presësh Elton Mermalin." Na dha 300 euro, kanë qenë prerje 100, na i dha për rrugë. Mora Lulëzimin, u nisëm për Lushnjë. Kaluam për Peqin dhe do gjenim vend për ta vrarë, poshtë urave e gjithë andej. Për çdo gjë flisnim me Laertin, na thoshte ai çfarë do bënim. Lulëzimin e shkretë e mori që fëmijë, e la pa shkollë, pa familje, pa gjë. Ai foli me Lulëzimin në chat, email, dhe i tha të niseshim natën, të gjenim Mermalin. Ta impononte gjënë ai. E kërkoj unë Mermalin vërdallë, se gjej. Si përfundim, parkoj makinën dhe e gjej përpara shtëpisë së tij. Hajde, i them unë këtij, më ndiq nga mbrapa. Marr makinën unë dhe kthehem, më ndjek ky mua. Më hipën në makinë dhe ikëm te shtëpia ime. Lulëzimi ishte te shtëpia ime, më priste. I them unë këtij: "Marim Lulëzimin dhe një shokun tim dhe ikim, marrim mallin që të kam premtuar." Lulëzimi u nis përpara, ne mbrapa, i thashë e kemi fshehur te ferrat. Sa mbërritëm aty, i gjuajta unë atij një tek plumb sa vajtëm dhe ika me vrap. Armën ma dha Lulzim Arapi, ishte me silenciator. I gjuajti me dy plumba të tjerë dhe Lulzim Arapi. Isha 5-10 metra afër kur i gjuajti Lulzimi. Hipëm në makinë dhe ikëm, unë isha në timon. "Mere armën," i them unë, "dhe çmontoje," sa dolëm në rrugë kryesore Peqin-Elbasan. Ky po i hiqte fishekët, se çfarë bëri një gabim dhe shkrepi armën, plagosi veten në këmbë, te gishti. I hyri plumbi tej për tej në mish. U panikosëm, u çorientuam dhe pastaj i them Laertit unë. Aty te ura e Rrogozhinës hodha silenciatorin dhe fishekët që ngelën dhe ika, se kisha këtë të plagosur në makinë. Po flisja me Laertin gjatë kësaj kohe dhe më tha: "Merr këto ilaçet për ta mjekuar." E marr, e çoj te shtëpia, e mjekoj atje. Armën e hodha në Lushnjë, karikatorin e hodha veç, silenciatorin veç, armën veç. Nuk e gjetën armën për vrasjen e Elton Mermalit. E mora Lulëzimin, e çova në Tiranë pastaj dhe u ktheva në Lushnjë. Fola me Lulëzimin pastaj, më tha është gjet trupi i viktimës. Nisa për në Durrës nga rruga që ikën për Tiranë, nga Ndroqi. Në një restorant atje ishte Bledari me Laertin, po prisnin aty, bashkë me dy çuna të tjerë. Ishin policë ata, njëri ishte inspektor në Elbasan, po hanin drekë aty. Më sugjeruan një parkim për të çuar makinën time. Erdhi Laerti me Bledarin, ishin me Range Rover Sport, tipi i fundit, dhe më morën te TEG-u, ikëm te Deluxi.
Artan alias Marjus Tafani ka folur dhe për tentativën për të vrarë avokatin Adriatik Guri, të cilin Tafani e kishte dhe kushëri.
Dëshmia e Tafanit: Mora shtëpi me qira në Lushnje, do vrisnim avokatin Adriatik Guri. E ruaja unë avokatin. Ndërkohë, unë e kam kushëri. Donte ta vriste Laerti, sepse sipas Laertit, ky ndihmonte hasmin e tij. Këta, njëkohësisht, kishin kamerat e policisë, kishin edhe kodin. Këta më ruanin edhe mua. Lulzim Arapi erdhi te shtëpia, solli një pistoletë “CZ” me dy silenciatorë. Vazhdonim ta ruanim avokatin. Unë rrija aty te lokali ku vinte dhe avokati, dhe i thashë që nuk e bëj dot, se e kam kushëri. E lamë që do e bënte Lulzimi. Një natë na iku ai. Unë u përfshiva nga frika, jo për lekë. Tha ai (Laerti): “Do bëhet.” Lulzimi ishte gati ta qëllonte. Ishim te hyrja e pallatit duke pritur. Në një moment, e dalloi një komshi aty dhe i tha: “Çfarë bën?” Fati i avokatit, e shpëtoi Zoti. Më pas, Laerti e anulloi, tha: “Nuk do e bëjmë avokatin.” Laerti ishte në Greqi, na urdhëronte nga andej.
Artan Tafani u vu në pranga pas një grabitjeje që bëri në zonën e Astirit ku dhe la gjurmë që çuan në identifikimin e tij. Ai ka treguar gjithashtu se Laert Haxhiu kishte planifikuar për të vrarë edhe persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi.