
TIRANË- Ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryedemokrati Sali Berisha kishte rezervuar sheshin “Nënë Tereza” një natë më parë, nga ku prezantoi të gjithë kandidatët për deputetë. Krah kryedemokratit Sali Berisha ishte Chris LaCivita, strategu i fitores së presidentit Donald Trump. Kolona zanore që ka shoqëruar Berishën që mesa duket është përzgjedhur për këtë fushatë ishte “Eye of the tiger” nga Survivor, këngë që gjithashtu na kujton filmin e Rocky Balboa dhe që flet për një ringritje. Kjo është dhe ajo që kërkon Partia Demokratike të bëjë, të rimarrë pushtetin pas 12 vitesh.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste kërkon një mandat të katërt duke premtuar pasaportën evropiane. Fushata e Ramës do të shoqërohet nga një këngë e bërë posaçërisht nga reperi Rigels Rajku, i njohur gjerësisht si Noizy.
Një natë më parë, Partia Socialiste zhvilloi një takim me gratë kandidate për deputete në të 12 qarqet e vendit, ndërsa sot, në orën 12:00 u mblodhën të gjithë në sheshin “Skënderbej”. Në fjalimin e tij Rama u fokusua në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që atmosfera mbizotëronte me këngë të të gjitha krahinave shqiptare, pasi kishte të ftuar këngëtarë të ndryshëm. Gjithçka kulmoi me ngjitjen e Noizyt në skenë, i cili dhe në një postim në rrjetet sociale ka shpjeguar bindjen e tij. Reperi thotë se nuk sheh programet e partive, por individët dhe se ndonëse dikur familja e tij ka qenë e djathtë, sot nuk ia mbush askush mendjen përveç Ramës.
Fushatën e kanë hapur edhe partitë e vogla. Partia "Mundësia" e drejtuar nga politikani Agron Shehaj, e çeli duke lëvizur me autobus nga veriu në jug të vendit. Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet” e hapi në Vlorë, ndërsa "Lëvizja Bashkë" e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.