
SPANJË-Mbi 10 ton kokainë janë zbuluar në dy kapanone industriale në qytetin Águilas të Spanjës, në një operacion që ka vënë në qendër të hetimeve një organizatë kriminale shqiptare. Mediat vendase raportojnë se në kutitë ku mbahej kokaina ishin shënuar adresat ku duhej të dërgohej droga. Ky element pritet t’u shërbejë hetuesve për të rindërtuar rrjetin e shpërndarjes dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë pas organizimit të trafikut. Në qendër të hetimit janë shqiptarët.
Dy kapanonet përdoreshin si depo të posaçme për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës, përpara shpërndarjes së saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Organizata shqiptare i përdorte këto ambiente si pika magazinimi. Çështja mbetet nën sekretin hetimor, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë personat që qëndrojnë pas ngarkesës së sekuestruar dhe mënyrën se si ajo mbërriti në Águilas.
Droga u zbulua në zonën industriale El Labradorcico, pasi një paletë e ngarkuar me kokainë ra gjatë procesit të shkarkimit. Përplasja shkaktoi dëmtimin e një pjese të ngarkesës dhe shpërndarjen e disa pakove me kokainë në dyshemenë e kapanonit.
Punëtorët që ndodheshin në ambient u larguan me shpejtësi, duke braktisur edhe mjetin e punës. Në vendngjarje mbërriti një patrullë e Policisë Bashkiake, e cila ishte njoftuar për një aksident të mundshëm në punë, por nuk gjeti askënd në ambientet industriale.
Pas kontrolleve, autoritetet zbuluan edhe kapanonin e dytë, duke e çuar sasinë e përgjithshme të kokainës në mbi 10 tonë. Sipas raportimeve, në kapanonin e parë janë numëruar më shumë se 5 tonë kokainë, ndërsa zbulimi i ambientit të dytë e rriti ndjeshëm sasinë e sekuestruar. Vlera e ngarkesës në tregun e paligjshëm përllogaritet të jetë mbi 100 milionë euro.