TIRANË-Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e “paketës antidhunë” të qeverisë, e cila përfshin dy akte normative dhe një vendim të Këshillit të Ministrave. Njoftimi u dha në një deklaratë për mediat nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili deklaroi se e drejta për të protestuar nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin.
Opozita kërkon edhe pezullimin e zbatimit deri në shqyrtimin përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese. PD ka kërkuar edhe thirrjen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për të dhënë llogari mbi ndalimet, gjobat dhe trajtimin e protestuesve gjatë javëve të fundit.
Bardhi gjatë fjalës së tij u ndal edhe tek vendimi i qeverisë që parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm për personat e proceduar ose nën hetim për vepra të kryera gjatë tubimeve. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, u shpreh se hetimi nuk përbën provë fajësie dhe nuk mund të cënohen të dhënat personale.
Gazment Bradhi:
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ajo nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin. Çdo përpjekje për të penguar qytetarët në ushtrimin e kësaj të drejte përbën një cenim të papranueshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Sot jemi këtu për të bërë publik një qëndrim të qartë politik dhe kushtetues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike përballë një përpjekjeje të qeverisë për të vendosur nën kontroll të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.Kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 5/2026, Aktit Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, datë 28 tetor 2026, si dhe për pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.Kjo nuk është një përpjekje për t’i dhënë imunitet askujt që shkel ligjin. Dhe nuk është një kundërshtim ndaj detyrimit të shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuaj më dhunë zërin e qytetarëve, të asgjesojë në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar.Sepse në një shtet demokratik, rendi publik nuk mund të vendoset kundër lirive themelore. Siguria nuk mund të përdoret si justifikim për arbitraritetin. Dhe pushteti nuk mund të vendosë vetë se cilat të drejta mund të ushtrojnë qytetarët dhe cilat duhet t’u hiqen.
Ajo që kemi sot përpara nuk është një ndërhyrje e izoluar ligjore. Janë tri akte që, të marra së bashku, krijojnë një mekanizëm të papranueshëm, antikushtetues dhe arbitrar, për kufizimin e protestës, ndëshkimin e organizatorëve dhe kontrollin e qytetarëve që përfshihen në tubime.Dhe për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partia Demokratike ka vendosur të kryejë dy akte:
-Kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e të tre akteve të miratuara nga Qeveria për protestat.
-Thirrjen në një seancë llogaridhënie në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për abuzimin e rëndë me detyrën, duke ndaluar e gjobitur qytetarë që protestojnë paqësisht, si dhe për dhunën e paprecedentë që Policia e Shtetit ka ushtruar në 3 javë ndaj qytetarëve që protestojnë.
-Ne shpresojmë që Gjykata Kushtetuese jo vetëm do të mbrojë Kushtetutën, por këtë mbrotje do ta jap në një kohë të shkurtër dhe me urgjencën që dikton ky rast.
3 Aktet e miratuara nga Qeveria janë haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.