
TIRANË-Pas 20 ditësh protestë, është krijuar Lëvizja Studentore Kombëtare. Lajmi u dha nga studentja e psikologjisë Livia Dedej, në emisionin “Review” të Euronews, e cila ka deklaruar se kjo nismë nuk do të shndërrohet në parti politike, por do të funksionojë me udhëheqje kolektive dhe jo me një drejtues të vetëm.
Livia Dedej: Në mënyrën se si ne e kemi ideuar Lëvizjen Studentore Kombëtare, kemi vendosur të ketë themelues por jo udhëheqës. Pra do krijohet tani, pasi na duhet një bashkim dhe na duhet një zgjidhje politike, por nuk do të kthehet asnjëherë në parti, në mënyrë që kjo strukturë të përdoret edhe nga studentët e tjerë disa vite më vonë. Gjëja tjetër është që ne nuk duam që të kapemi tani te ideologjitë që në i kemi të gjithë të ndryshme aty në shesh, kemi një kaoz të përbashkët dhe ne e shohim që edhe klima politike që kemi në këto momente nuk na lejon që të formojmë parti dhe nuk e kemi këtë ambicie. Çdo studentet mund të bëhet pjesë.
Dedej theksoi se studentët nuk janë rreshtuar me asnjë parti, por kanë dalë në rrugë për të shprehur ankesat e tyre. Studentja sqaroi se studentët nuk janë me asnjë parti, por dalin për pakënaqësitë e tyre, ndaj kërkoi që deputetët që kanë përgjegjësi për gjendjen e vendit të mos përfitojnë nga sheshi, në mënyrë që protesta të ruajë karakterin e saj të pastër.