Bota

72 orë afat për institucionet, Kurti: Të verifikohet çdo dështim për rastin e Arlinda Zekajt

Ai bëri thirrje edhe për një debat më të gjerë mbi dhunën ndaj grave, mendësinë patriarkale dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë që kërkojnë pavarësi, divorc dhe të drejta pronësore.

M.K.
72 orë afat për institucionet, Kurti: Të verifikohet çdo
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt duke vënë theksin te përgjegjësitë e mundshme institucionale. Gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvend, ai propozoi dy masa urgjente që duhet të përmbushen brenda 72 orësh.

Kurti kërkoi që Policia të rishikojë të gjitha rastet aktive me rrezik të lartë, duke dokumentuar masat e sigurisë, zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe përgjegjësitë e zyrtarëve përkatës. Ndërsa Ministria e Drejtësisë duhet të hartojë një raport të detajuar mbi reagimin ose mosveprimin e secilës hallkë institucionale në rastin e Zekajt.

Kryeministri mbështeti gjithashtu krijimin e një komisioni parlamentar hetimor dhe theksoi se hetimi duhet të përfshijë çdo institucion që mund të ketë dështuar në mbrojtjen e viktimës. Ai bëri thirrje edhe për një debat më të gjerë mbi dhunën ndaj grave, mendësinë patriarkale dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë që kërkojnë pavarësi, divorc dhe të drejta pronësore.


Reagim i plotë i Albin Kurtit:
“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast.Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata. Sivjet janë vrarë tetë gra, na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e trashëgimi. Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne e kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti. Si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet që dështojnë t’i mbrojnë”, ka deklaruar Kurti./ZËRI

MOS HUMB