IZRAEL-Sot, më 27 tetor, u hapën qendrat e votimit në Izrael, në zgjedhjet që mund t’i japin fund sundimit dhjetëvjeçar të Benjamin Netanyahut. BBC shkruan se sipas raportimeve, rreth 70 mijë izraelitë janë kthyer nga jashtë vendit për të votuar, ndërsa rreth gjysmë milioni qytetarë do të votojnë për herë të parë. Sondazhet e publikuara të premten tregojnë një garë të ngushtë mes kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu dhe ish-shefit të ushtrisë, Gadi Eisenkot, për postin e kryeministrit.
Netanyahu, pavarësisht rënies së tij të ndjeshme, mban një bazë të fortë elektorale dhe, mbi të gjitha, një rrjet aleancash politike që i lejon atij të pretendojë vendin e tij në pushtet, edhe nëse Likud nuk del si partia kryesore.
Gadi Eisenkot, drejtuesi i partisë së re Yashar, është figura kryesore e të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”. Ky grup përfshin parti me qëndrime të ndryshme ideologjike, por që bashkohen nga synimi për t'i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut.
Në këtë kamp bëjnë pjesë edhe ish-kryeministri Naftali Bennett dhe Avigdor Lieberman, të dy politikanë të së djathtës me qëndrime të ashpra për çështjet e sigurisë, si dhe Yair Golan, një ish-gjeneral me orientim të majtë.
Për Netanyahun, një prej figurave më jetëgjata të politikës izraelite, i cili shërbeu për herë të parë si kryeministër në vitin 1996, rikthimi në pushtet varet kryesisht nga mundësia për të rindërtuar aleancën me partitë e ekstremit të djathtë dhe partitë ultraortodokse hebraike. Në garë janë edhe dy blloqe partish arabe, pasi rreth një e pesta e popullsisë së Izraelit janë arabë - shumë prej të cilëve e përshkruajnë veten si qytetarë palestinezë të Izraelit.
Sa i përket luftës, kundërshtari i Netanyahut, Eisenkot mbështet kryesisht vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar - të cilat janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar - por dëshiron të godasë kolonët ekstremistë hebrenj, sulmet e të cilëve janë në nivelin më të lartë historik, sipas shifrave të OKB-së. Krijimi i një shteti të pavarur palestinez në bashkëjetesë paqësore përkrah Izraelit - është zhdukur pothuajse nga politika kryesore izraelite./ZËRI