Aktualitet

Akciza për duhanin rritet nga 1 janari, cigaret dhe produktet me nikotinë drejt shtrenjtimit deri në vitin 2033

Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale të propozuar dhe parashikohet të nisin më 1 janar 2027, ndërsa kalendari i rritjeve shtrihet deri në vitin 2033

M.K.
Akciza për duhanin rritet nga 1 janari, cigaret dhe produktet me
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Nga 1 janari 2027 cigaretdhe produktet e tjera që përmbajnë duhan apo nikotinë pritet të përballen me rritje të akcizës, sipas ndryshimeve të propozuara në paketën e re fiskale. Plani i Ministrisë së Financave parashikon një rritje graduale të taksës përgjatë shtatë viteve deri në vitin 2033 duke përfshirë edhe duhanin me ngrohje dhe lëngjet e përdorura në cigaret elektronike.

Për cigaret akciza propozohet të rritet nga niveli aktual prej 7,750 lekësh për 1,000 fije në 8,100 lekë në vitin 2027. E përkthyer në një paketë me 20 cigare, kjo do të thotë rreth 7 lekë më shumë akcizë për paketë, vetëm nga rritja e taksës specifike. Çmimi përfundimtar për konsumatorët do të varet edhe nga TVSH-ja dhe vendimet e kompanive të duhanit për çmimet e shitjes.

Rritja nuk do të ndalet në vitin e ardhshëm. Sipas kalendarit të propozuar, akciza për cigaret do të arrijë në 8,450 lekë për 1,000 fije në vitin 2028 dhe në 8,800 lekë në vitin 2029. Nga viti 2030, skema parashikon edhe një komponent shtesë të llogaritur mbi çmimin e shitjes me pakicë. Kjo përqindje do të nisë në 2% dhe do të rritet gradualisht deri në 5% në vitin 2033, krahas taksës fikse.

Ndryshimet prekin edhe alternativat ndaj cigareve të zakonshme. Për duhanin me ngrohje, akciza propozohet të nisë nga 9,450 lekë për kilogram në vitin 2027 dhe të arrijë në 13,650 lekë në vitin 2033. Ndërsa për lëngjet që përmbajnë nikotinë dhe përdoren në cigaret elektronike, taksa parashikohet të rritet nga 24 lekë për mililitër në vitin 2027 në 48 lekë në vitin 2033, duke u dyfishuar brenda kësaj periudhe.

Në skemën e re përfshihen gjithashtu produkte të tjera, si duhani për përdorim oral, produktet për thithje pa djegie dhe përzierjet e përdorura në shisha apo nargjile. Përmes këtij kalendari qeveria synon të rrisë gradualisht barrën fiskale mbi një gamë më të gjerë produktesh të duhanit dhe nikotinës.

Megjithatë, rritja e akcizës nuk përkthehet automatikisht në të njëjtën masë rritjeje të çmimeve në dyqane. Shtrenjtimi real do të varet nga mënyra se si prodhuesit dhe importuesit do të reflektojnë kostot e reja në çmimet e shitjes.

Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale të propozuar dhe parashikohet të nisin më 1 janar 2027, ndërsa kalendari i rritjeve shtrihet deri në vitin 2033./ZËRI

MOS HUMB