Aktualitet

Shëndetësia në burgje në alarm? Raporti i KLSH-së: Gratë në Pojskë pa gjinekolog, të miturit në Kavajë pa pediatër

Mungesa e gjinekologut në Pojskë dhe e pediatrit në Kavajë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet kujdesi shëndetësor për gratë dhe të miturit që mbahen në këto institucione.

zh.ll
Shëndetësia në burgje në alarm? Raporti i KLSH-së:
foto ilustruese

TIRANË- Mungesa e mjekëve specialistë në institucionet e vuajtjes së dënimit është një problematikë e evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Sipas raportit të KLSH, në burgun e grave në Pojskë, ku sipas të dhënave statistikore të sistemit të burgjeve për Shtator 2026 rezultojnë qëndrojnë 32 të paraburgosura dhe 25 të dënuara, nuk ofrohen shërbime gjinekologjike. IEVP Pojskë si institucioni i vetëm për gratë e dënuara ka përgjegjësinë për të siguruar një shërbim shëndetësor të organizuar dhe efektiv, i cili t’u përgjigjet nevojave specifike të kësaj kategorie.

"IEVP Pojskë është institucioni ku trajtohen gratë e dënuara dhe të paraburgosura, dhe për shkak të profilit të veçantë të popullatës që trajton, institucioni duhet të sigurojë akses në shërbime të përshtatura me nevojat specifike shëndetësore të grave, përfshirë kujdesin gjinekologjik, ndjekjen e shtatzënisë, shërbimin stomatologjik, mbështetjen për shëndetin mendor dhe kushtet e përshtatshme higjieno-sanitare. Nga auditimi rezultoi se shërbimet gjinekologjike dhe stomatologjike nuk ofrohen brenda institucionit", thuhet në raport.

Nga gjetjet e auditimit, në IEVP Posjkë rezultojnë mangësi në mbulimin me farmacist, mungesë e pozicioneve të dedikuara për stomatolog dhe gjinekolog.

Shëndetësia në burgje në alarm? Raporti i KLSH-së:

Problematika të kujdesit shëndetësor janë evidentuar edhe në burgun e të miturve në Kavajë, ku sipas raportit, mungon mjeku pediatër. 

Kujdesi shëndetësor për të miturit në IEVP Kavajë si institucioni i dedikuar për të miturit në konflikt me ligjin ka një rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Për shkak të moshës, fazës së zhvillimit fizik dhe psikologjik, si dhe nevojave të veçanta shëndetësore e psiko-sociale, të miturit kërkojnë një model kujdesi të specializuar, të integruar dhe të orientuar drejt rehabilitimit dhe riintegrimit social.

"Në IEVP Kavajë ku trajtohen të miturit në konflikt me ligjin, megjithëse kushtet e përgjithshme dhe programet rehabilituese vlerësohen
relativisht të mira, institucioni nuk disponon mjek pediatër. Mungesa e këtij specialisti ka sjellë vështirësi të herëpashershme në sigurimin e kujdesit shëndetësor të përshtatur për këtë grupmoshë, veçanërisht për rastet që kërkojnë vlerësim dhe ndjekje të specializuar", thuhet në raport.

Sipas auditimit, në IEVP Kavajë kujdesi shëndetësor për të miturit nuk organizohet plotësisht mbi bazën e një modeli të plotë dhe të standardizuar. Gjithashtu është konstatuar mungesa e programeve të qendrueshme të rehabilitimit, si dhe problematika të lidhura me mirëmbajtjen e ambienteve dhe kushteve higjieno-sanitare, etj.

Shëndetësia në burgje në alarm? Raporti i KLSH-së:

Mungesa e gjinekologut në Pojskë dhe e pediatrit në Kavajë ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet kujdesi shëndetësor për gratë dhe të miturit që mbahen në këto institucione. Ndërkohë, mbetet për t'u parë nëse do të merren masa pas rekomandimeve të auditimit./ZËRI

MOS HUMB