TIRANË-Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurisë për anëtarët e grupit “Rraja” të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe organizim të një grupi të strukturuar kriminal. Mes të akuzuarve është edhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja.
Në masën e sigurisë arrest me burg janë lënë: Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja dhe Zamir Aliaj. Të akuzuarit u arrestuan me urdhër të SPAK në dhjetor të dyshuar se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas organit të akuzës, anëtarët e grupit Rraja, dyshohen se kanë kryer veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Organizim i grupit të strukturuar kriminal”.
Aksioni i SPAK
SPAK urdhëroi një operacion të gjerë në Nikël, mëngjesin e së mërkurës, 10 dhjetor, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”, duke çuar në 14 urdhër-arrest, 10 prej të cilave u ekzekutuan. Grupi në fjalë akuzohet për veprat penale trafikimi i lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Në dosjen e SPAK janë zbardhur bisedat në aplikacionin SKy Ecc mes grupit, ku reflektohen episodet e trafikut të drogës drej Turqisë, Ekuadorit dhe drejt vende të Bashkimit Europian. Grupi hetimor ka arritur të zbardhë rolet dhe mënyrën se si funksiononin 3 prej grupeve, ku në krye të njërit qëndronte Rexhep Rraja. Episodi i parë daton më 3 nëntor 2020, gjatë të cilit autoritetet e Malit të zi sekuestruan 1722 kg bimë narkotike marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë. Episodi i dytë është shënuar më 23 nëntor po të vitit 2020, ku u sekuestruan në Holandë 475 kg kokainë që ishte dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen. Ndërsa episodi i tretë është shënuar në datë 26 janar 2021, ku në Turqi u sekuestruan 236 kg marijuanë që ishte nisur nga Shqipëria.
NJOFTIMI:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.