TIRANË-SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj avokatit Bardhi Koçi dhe shtetases Pranvera Meshi, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Konkretisht avokati merrte para nga klientët me qëllim për të ndërhyrë tek gjyqtarët. Meshi e cila akuzohej për “Falsifikim të dokumenteve shëndetësore” kishte paguar avokatin që ai të ndikonte te një gjyqtar i Tiranës për një çështje ndaj saj.
SPAK ka evidentuar 3 raste të avokatit Bardhi Koçi që tentonte të ndërhynte te gjyqtarët. Në kohën e kryerjes së veprës penale, Koçi ka qenë zyrtar i KLSH.
Në një rast, ai ka kërkuar 1500 euro dhe ka përfituar 1000 euro nga Pranvera Meshi, e cila ndodhej nën gjykim në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore, me qëllim ndikimin në vendimin e gjyqtarit që po shqyrtonte çështjen ndaj saj.
Në një episod tjetër, Koçi ka kërkuar 1300 euro nga shtetasi A.M., për të ndikuar te dy funksionarë të sistemit të drejtësisë në lidhje me një çështje që përfshinte shtetasen N.M., e arrestuar për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt. Po ashtu, ai ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi R.G., për të ndikuar në përpilimin e një akti ekspertimi kimik nga Instituti i Policisë Shkencore, lidhur me një sasi lënde narkotike të sekuestruar nga një tjetër i dyshuar.
NJOFTIMI:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, dërgoi gjykim më 05.08.2025, procedimin penal, nr.229/1 viti 2021 në ngarkim të të pandehurve:
1.Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
2.Pranvera Meshi, e akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale, “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 dhe 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit, Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi.
Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.
Shtetasi, Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetësja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Shtetasi, Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Gjithashtu shtetasi Bardhi Koçi ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dokumentuar dy episode të tjera të kryerjes së veprës penale,“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, nga shtetasi Bardhi Koçi dhe po vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.