TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar versionin 4.0 të Diellës, me risi të reja në platformën e-Albania. Përmes një videoje shpjeguese të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka prezantuar risitë e sistemit, i cili synon të mundësojë marrjen e shërbimeve përmes komandave zanore.
“Jemi në fazën që kemi premtuar që Diella kalon në një pozicion shumë aktiv ku i bën vetë gjërat, mjafton kërkesa dhe të presësh pak minuta që të vijë gjithë shërbimi. Prezantohuni me fuqitë e reja të Diellës", u shpreh Rama.
Sipas videos së demostrimit, paraqitet mundësia që përdoruesit t’i drejtojnë asistentit pyetje për shërbime të ndryshme, si verifikimi i pikëve të patentës apo gjenerimi i një vërtetimi pensioni. Risi të reja janë prezantuar edhe për shërbimet që u ofrohen pensionistëve. Sipas Ramës, kjo do të sjellë lehtësime serioze për shërbimin e pensionistëve.
Në total, vetëm me një komandë zanore, gjenerohen 19 shërbime, teksa kryeministri ftoi qytetarët që ta shkarkojnë aplikacionin dhe të njihen me funksionet e reja të sitstemit. Në fund, Rama bëri të ditur se risitë e prezantuara nuk janë të vetmet dhe se priten zhvillime të tjera në muajt në vijim.
"Shkarkoni aplikacionin dhe e keni e’Albanian totalisht në shërbimin tuaj, me një komandë të thjeshtë, ‘Diella më bëj shërbimin’ dhe në pritje aty, duke dëgjuar muzikë, Diella punon dhe ju e keni shërbimin”, u shpreh Rama.
/ZËRI