Aktualitet

5 ditë nën dhé! Kërkimet për trupin e Ardit Beshirit, MM: 2 ekskavatorë po gërrmojnë për ta gjetur!

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimin lidhur me rastin në terren, duke bërë me dije se po punohet edhe me ekskavator për të gjetur trupin e 29-vjeçarit.

k.m.
5 ditë nën dhé! Kërkimet për trupin e Ardit Beshirit,
Pamje nga kontrollet

BURREL- Sot është dita e 5 që nga zhdukja e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, trupi i të cilit ende nuk është gjetur pas pas çarjes së një dige në Klos. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përditësimin lidhur me rastin në terren, duke bërë me dije se po punohet edhe me ekskavator për të gjetur trupin e 29-vjeçarit. Në vendngjarje janë angazhuar qindra persona, si nga Ushtria shqiptare, edhe nga Kosova. Por shtrirja në rreth 6 km e rrëshkitjes e ka vështirësuar gjetjen e 29-vjeçarit.

INFORMACION MBI OPERACIONIN E KËRKIMIT TË PERSONIT TË HUMBUR – BASHKIA KLOS

Më datë 03 maj 2025, rreth orës 14:30, në zonën e quajtur “Qafa e Burrelit”, afër fabrikës së përpunimit të kromit në bashkinë Klos, ka ndodhur një rrëshqitje masive dheu në një distancë prej rreth 2 km. Gjatë këtij momenti, në vendngjarje ishte duke punuar me ekskavator një punonjës i një kompanie private që ushtron aktivitet në fushën e shfrytëzimit të mineraleve. Si pasojë e rrëshqitjes, punëtori është zënë dhe mbuluar nga masivi i dheut dhe inerteve. Forcat e angazhuara në operacionin e kërkim-shpëtimit: Që nga dita e parë, në vendngjarje janë angazhuar struktura dhe mjete të shumta për gjetjen e trupit të punonjësit: * Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM): 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor. * Forcat e Armatosura: 115 forca nga reparti ushtarak 1013 Burrel, 12 efektivë nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC) me pajisje speciale për kërkim-shpëtim në rrënoja, 24 efektivë nga kompania EOD (Batalioni i Xhenios), të pajisur me pajisje për detektimin e metaleve. * Policia e Shtetit: 24 efektivë. * Urgjenca Mjekësore: E pranishme në vendngjarje për ndihmën e nevojshme. * Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore: 6 punonjës. * Vullnetarë: 535 qytetarë dhe 2 ekskavatorë që janë duke punuar intensivisht në një pjesë të zonës ku ka ndodhur rrëshqitja. * Strukturat lokale: Të angazhuara janë strukturat e pushtetit vendor të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër. 

Mbështetja ndërkombëtare: Me koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për shkak të kompleksitetit të operacionit dhe vështirësisë së terrenit, më datë 06.05.2025, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, është kërkuar mbështetje nga Kosova me forca të specializuara për kërkim-shpëtim. Më datë 07.05.2025, një ekip i specializuar i Kërkim-Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja, është bashkuar me operacionin në terren.

Kushtet në terren: Sipas vlerësimeve në terren dhe diskutimeve me drejtuesit operativë, rrëshqitja ka përshkuar një distancë rreth 6 km në një terren shumë të vështirë për ndërhyrje dhe kërkim. Në një segment të terrenit, rreth 500 metra nga pika e rrëshqitjes pranë fabrikës së pasurimit të kromit, janë futur dy ekskavatorë për të ndihmuar në gërmimin dhe gjetjen e trupit.

Koordinimi i operacionit: Operacioni po drejtohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qendrore dhe vendore. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat operacionale mbeten të angazhuara maksimalisht deri në përfundimin e operacionit dhe lokalizimin e personit të humbur.

Ardit Beshiri punonte prej disa muajsh në fabrikën e përpunimit të kromit në Qafë Burrel, e cila shtrytëzohet nga një kompani kineze. Në pranga ka rënë drejtuesi teknik i punimeve, 44-vjeçari Ademir Lala për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë./ZËRI

Poll

MOS HUMB