TIRANË-Pas mbylljes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka deklaruar se nga ana e tyre nuk ka pasur dakordësi me mënyrën sesi u soll raporti i PD, ku i kërkonte Kuvendit që të hiqte imunitetin e Belinda Ballukut. Balla ka theksuar se mazhoranca u shpreh kundër autorizimit për t'i hapur rrugë arrestimit të Ballukut, ndërsa u shpreh se për ta është e mjaftueshme masa e pezullimit nga detyra. Balla kërkoi prezumimin e pafajësisë për Ballukun.
Kreu i grupit parlamentar të PS deklaroi se do të zhvillojnë një mbledhje dhe më pas do të dalin me një raport në emër të 5 deputetëve socialistë, anëtarë në Këshillin e Mandateve. Në këto kushte do të ketë dy raporte në Kuvend, ai i PD që kërkon autorizimin për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe ai i PS që nuk e lejon.
Taulant Balla: Me arsye të plota Kuvendi ka marë kohën e nevojshme për këtë proces pas edhe përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi i sotëm dhe pyetjet e anëtarëve të këshillit ka hedhur dritë mbi elementin thelbësor, prezumimin e pafajësisë. Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim se e kishin marrë vendimin e tyre për qëndrimin. Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS kam informuar këshillin e mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS. Nuk e jep autorizimin këshilli, por e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi i cili grupi i PS, në përfudnim të këtij procesi sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e 5 deputetëve tanë, do kemi dy relatorë, zoti Manja do hartojë raportin tonë ndërkohë që PD do sjellë raportin e saj.