TIRANË- Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Eduart Merkaj ka shkuar këtë të mërkurë, më 12 nëntor, në zyrën e ministres së Brendshme Albana Koçiu, një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos miku i tij, Muçi Shaljani. Ky i fundit punonjës i AMP-së, ka shkaktuar një ‘furtunë’ në radhët e institucionit. Paraditen e sotme, Merkaj njoftoi nisjen e një analize të thellë mbi punësimin e 40-vjeçarit, ndërsa pezulloi të gjithë zinxhirin drejtues të operacionales së AMP-së.
Burime pranë DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.
Vrasja e ndodhur mesditën e së martës në Rinas, ndodhi disa minuta pas raportimit të ministres së brendshme Albana Koçiu në Komisionin Parlamentar për çështjet e brendshme, ku tha se Shqipëria është një vend i sigurt dhe në muajt e fundit ka pasur një ulje të rasteve kriminale.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Muçi Shaljani është bërë pjesë e AMP-së gjatë muajit shtator, kur ky institucion drejtohej nga Artjol Saliasi pas shkarkimit të Florjan Sulejmanit. Drejtori i ri i kësaj strukture, Eduart Merkaj, me marrjen e detyrës, kishte kërkuar rishikimin e një sërë kontratash që ishin nënshkruar me agjentët, përfshirë dhe Shaljanin. Dëshmia e tij do të ishte me vlerë të madhe për hetimin e ngjarjes, por aktualisht punonjësi i AMP ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa dy prej plumbave e kanë prekur në kokë. 40-vjeçari rezulton gjithashtu që të jetë pronar i një hoteli në Tiranë, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton që të jetë pa precedentë të mëparshëm penal./ZËRI