Aktualitet

"Air Albania" pret sonte Shqipëri-San Marino, Policia me plan masash: bllokime rrugësh nga ora 17:00

Përpara sfidës, Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

zh.ll
"Air Albania" pret sonte Shqipëri-San Marino, Policia me plan
foto ilustruese

TIRANË- Shqipëria përballet këtë të martë me San Marinon në “Air Albania”, në kërkim të fitores pas humbjes 2-1 ndaj Finlandës. Përpara sfidës, Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Sipas njoftimit të policisë, nga ora 17:00 deri në përfundim të takimit do të ketë kufizime të qarkullimit në disa prej akseve pranë stadiumit. Ndërkohë, tifozët këshillohen të paraqiten në hyrjet e stadiumit që prej orës 18:30, për të shmangur vonesat për shkak të fluksit.

Njoftimi: 

Policia e Shtetit/Plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe San Marinos, që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, duke u mbështetur në përvojën pozitive në planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë ditës së sotme, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit, duke filluar nga ora 18:30, pasi, për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Poll

MOS HUMB