TIRANË- Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, në aksin Tiranë-Elbasan.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se një automjet i tonazhit të rëndë, kamion, është përplasur me një automjet tip 'Volkswagen', e cila ka mbetur e shkatërruar. Pas kësaj përplasjeje, kamioni ka thyer barrierat mbrojtëse të urës dhe ka përfunduar duke rënë poshtë në aksin në drejtim të Elbasanit. Por, në momentin që ka rënë nga lartësia, ka zënë një tjetër automjet poshtë.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se njëri prej personave që udhëtonte në kamion ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.
Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.