Aktualitet

Akuzohet për gjobëvënie ndaj një zyrtari të shëndetësisë, arrestohet gazetari Elio Laze, i sekuestrohen 5000 euro dhe 4 celularë

Laze, i cili drejton portalin Priza.al, i kishte vënë gjobë 20 mijë euro Klaus Shaqirit, zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik.

zh.ll
Akuzohet për gjobëvënie ndaj një zyrtari të
Gazetari Elio Laze

TIRANË- Gazetari Elio Laze është arrestuar nga Policia e Tiranës për gjobëvënie. Laze, i cili drejton portalin Priza.al, i kishte vënë gjobë 20 mijë euro Klaus Shaqirit, zyrtar i Institutit të Shëndetit Publik. Ky i fundit mësohet se ka qenë personi që ka bërë kallëzimin edhe pranë bluve të Tiranës, duke çuar në pranga Lazen.

Sipas Policisë, 37-vjeçari u kap në zyrën e subjektit të tij në Tiranë, menjëherë pasi kishte marrë shumën e parave nga i dëmtuari. Gjatë operacionit u sekuestruan 5000 euro dhe 4 telefona celularë. Nga hetimet e kryera nga përmes veprimeve proaktive nga prokuroria e Tiranës të drejtuara nga prokurori Asllan Bajramaj, u bë e mundur arrestimi i Lazes, i cili akuzohet për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, operacioni i koduar “Portali 1”.

Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari.

I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje.

Sekuestrohen shuma e eurove dhe 4 celularë.

Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç.

Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”./ZËRI

Poll

MOS HUMB