TIRANË- Një operacion i SPAK dhe BKH në bashkëpunim me autoritetet italiane, i nisur që prej mbrëmjes së djeshme në zemër të Tiranës është zhvilluar dhe po vijon edhe sot, në një nga kullat më të famshme dhe luksoze të kryeqytetit "Green Tower Forever". Në shënjestër të këtj operacioni është vënë një qendër komunikimi, Call Center, që dyshohet se operon në fushën e mashtrimit në një shtet tjetër.
Operacioni zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë Antimafias në Itali, dhe jo pa qëllim. Pra, nuk kemi të bëjmë me një operacion të befasishëm, pasi mësohet se aksioni është rezultat i një investigimi disa mujor në Itali. Konkretisht, emisioni investigativ italian “Le Iene”, i cili, para 10 ditësh, pasi ishte referuar fillimisht në autoritetet e antimafias italiane, është referuar në SPAK.
Çfarë zbuloi “Le Iene”? Investimi u fokusua në një rrjet të mirë organizuar mashtrimesh përmes Call Center. Për të zbuluar detajet, u infiltruan gati 15 persona të cilët arritën të zbërthejnë një skemë kriminale mashtrimi në shuma të mëdha, dhe sesi i gjithë ky aktivitet, kishte formën e një grupi të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale. Të inflitruarit kanë marrë informacion të plotë për mënyrën sesi operohej nga Tirana drejt Italisë e më gjerë, duke zhvatur miliona euro. Pas verfikimit nga autoritetet e të dyja palëve, fillimisht nga antimafia itlaiana e më pas nga SPAK dhe BKH, dyshohet se ky aktivitet i paligjshëm është i bazuar në mashtrim në një shumë minimalisht 100 milionë euro.
Në krye të operacionit ka qenë prokurori Vladimir Mara dhe drejtues të Antimafias, ndërsa në terren ka zbritur vetë drejtuesi i BKH-së, Joni Keta.
Por kush fshihet pas këtij bisnesi? Burime bëjnë me dije dy pronarët që fshihen pas këtij biznesi (Call Center) ende nuk dihet se kush janë, pasi nuk janë kapur nga autoritetet dhe janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të këtij operacioni, aktualisht janë vënë në pranga 10 persona, ndërsa mësohet se janë ekzekutuar 8 masa sigurie, si dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit: R.Gj, E.Gj, D.Q, E.M R.P, O.K
Kontrollet në objektin në fjalë, u bënë me qëllim gjetjen e materialeve apo sendeve të tjera me vlerë. Në vijim, janë bastisur 6 ambiente, ndërsa mësohet se zyrat janë ndërruar të paktën 4 herë, për të humbur gjurmët nga policia. Bëhet me dije se gjatë kontrolleve janë zbuluar disa prova materiale. Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar miliona euro në gjendje cash dhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash.
Megjithatë, operacion po vijon edhe sot dhe të tjera detaje pritet të dalin në vijim./ZËRI
