DURRËS- Gjykata e Durrësit ka vendosur masat e sigurisë për 8 personat e arrestuar për arratisjen e Altin Ndocit, pak ditë më parë nga spitali i Durrësit. Mes 8 të arrestuarve, janë efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës. Gjykata vendosi “Arrest me burg” për tre prej tyre, “Arrest në shtëpi” për dy të tjerë dhe “Detyrim paraqitje” për tre prej të arrestuarve.
Një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm një ditë pas shkarkimit nga detyra si drejtor i Burgut të Durrësit, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në rastin e arratisjes së Altin Ndocit. Po ashtu, u ekzekutua masa e sigurisë “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.
PERSONAT E ARRESTUAR dhe MASAT:
"Arrest në burg"- Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Arrest në Shtëpi"- Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
"Detyrim paraqitje"- Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Arrest në burg"- Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Arrest në burg"- Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Detyrim paraqitje"- Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Detyrim paraqitje"- Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
"Arrest në Shtëpi"- Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Të 8 personat e mësipërm, dyshohen për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Policia e Shtetit nuk ka pasur rol në ngjarjen e djeshme, pasi nuk i ishte kërkuar ndihmë nga Policia e Burgjeve, për tranferimin e Ndocit në ambientet e spitalit Infektiv të Durrësit.
Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit, ministria e Drejtësisë shkarkoi drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët njoftoi se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut, ndërsa 8 persona u vunë në pranga. Në mesin e personave të arrestuar është shefi i komanduar i policisë së burgjeve, si dhe kryeinfermieri i i burgut, i cili ka firmosur raportin se i burgosuri kishte nevojë për vizitë spitalore.
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI