Aktualitet

Ardi Veliu SHKRESË administratorit të 'News24': Premtuat se do e lironit vetë godinën, pritëm 48 orë!

Ardi Veliu, thotë se lirimi i ndërtesës së televizionit është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj.

k.m.
Ardi Veliu SHKRESË administratorit të 'News24': Premtuat se
Ardi Veliu

TIRANË- Shoqëria KAYO ka publikuar sot përgjigjen për kreun e grupit mediatik "Focus", Irfan Hysenbelliun. Në shkresën e publikuar, administratori i kompanisë shtetërore të armëve “KAYO”, Ardi Veliu, thotë se lirimi i ndërtesës së televizionit është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj. Po sipas ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, media është vënë në dijeni të përfundimit të kontratës. Por sipas tij, nuk kanë pranuar që të dorëzojnë vullnetarisht ndërtesën as pas 48 orëve të afatit të fundit që u ishte lënë. Kështu që iu desh që të ndërhynin dhe të futeshin në godinë.

Një përgjigje, KAYO e ka edhe për pretendimet se janë grabitur dosje shumë të rëndësishme që mediat e Hysenbelliut po hetonin në lidhje me korrupsionin qeveritar dhe abuzime të tjera. Sipas Veliut, pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.

“I nderuar Z. Buxheli, Referuar takimit të zhvilluar më datë 09.08.2025 në ambientet e ish Uzinës Traktori, premtuat se do të lironit ndërtesën në mënyrë vullnetare. Sipas bisedës, vendimi Juaj për lirim vullnetar do të na përcillej edhe me shkresë zyrtare. Pasi Ju pritëm 48 orë dhe nuk pati asnjë reagim nga ana Juaj, ndërtesa u lirua nga forcat ushtarake, të cilat kanë në mbrojtje këtë ndërtesë. Ju bëjmë me dije se, materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës. Ju lutem të paraqiteni pranë Rezervave të Shtetit, Ju personalisht si administrator dhe i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt,"- thuhet në letrën e Ardi Veliut drejtuar administratorit të “Focus Media News”.

Ndërkohë po ashtu sot Gjykata e Tiranës ka vendosurqë Panorama Group të rikthehet menjëherë në godinë dhe që brenda 48 orëve të kthehen të gjitha sendet që tashmë janë transferuar pranë rezervave të shtetit.

Çfarë ndodhi?

Mëngjesin e të shtunës Policia e Shtetit rrethoi godinën e "News24" duke mos lejuar punonjësit të futen brenda godinës. Ky hap vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën ka disa vite që ka mbaruar. Tashmë godina do të përdoret për "KAYO", kompaninë e prodhimit të armëve me vendim të qeverisë për përdorimin e saj në funksion të shoqërisë. Prej disa ditësh tashmë, "News24" ka mbetur  jashtë transmetimit, ndërsa stafi nuk është lejuar që të kthehet në ambientet e punës./ZËRI

Poll

MOS HUMB