Aktualitet

Arratisje, dënime përjetë.../ "Theu" lejen e burgut, autoritetet greke në "këmbë" për Alket Rizain! Kush është "fantazma" e burgjeve greke?

Emri i tij rezulton i përfshirë në ngjarjen e rëndë, një ditë më parë, 13 shtator, ku u regjistruan të shtëna me armë dhe mbetën të plagosur dy persona.

zh.ll
Arratisje, dënime përjetë.../ "Theu" lejen e burgut,
alketi rizai

GREQI- “Famëkeqi” Alket Rizai rikthehet në qendër të vëmendjes në Greqi. I njohur prej vitesh për arratisjet e bujshme nga burgjet, Rizai tashmë rezulton sërish në kërkim, pasi nuk është kthyer në burgun e Domokos pas përfundimit të lejes. 

Emri i tij rezulton i përfshirë në ngjarjen e rëndë, një ditë më parë, 13 shtator, ku u regjistruan të shtëna me armë dhe mbetën të plagosur dy persona. Madje, sipas mediave greke, Rizai rezulton të jetë personi që ka qëlluar me armë.

Pas ngjarjes, ai është larguar dhe njëkohësisht nuk është kthyer në burg. Ai duhej të kthehej në ambientet e burgut, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, pas përfundimit të lejes. Por, në këto kushte, Rizai konsiderohet i arratisur dhe për pasojë është shpallur në kërkim nga autoritetet greke. 

Kjo ishte leja e 17-të që Rizai kishte marrë që nga viti 2021. Në 16 rastet e mëparshme ai ishte kthyer në burg, ndërsa këtë herë vendosi të mos paraqitej në orarin e përcaktuar.

Por, kjo nuk është arratisja e parë...Kush është Alket Rizai, njeriu i arratisjeve spektakolare?

Alket Rizai, i lindur më 24 maj 1978 në Balçik të Shqipërisë, prej vitesh është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Greqi. Ai u bë i njohur për autorietet greke që në fillim të viteve '90, për çështje që lidhen me drogën, ndërsa vite më pas ai do të përfshihej në një sërë ngjarjesh kriminale.

Në vitin 2003, ai ishte personi i dyshuar për vrasjen e biznesmenit grek, Thanasis Koropiotis, pas një keqkuptimi që lidhej me partneren e tij. Nga hetimet, mësohet se Rizai dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin vrarë viktimën në një zonë të pyllëzuar në Atikën Verilindore. Më pas, trupi i biznesmenit u zhduk. Një muaj më vonë, Rizai u arrestua në një apartament në Nea Filadelfia.

Arratisjet me helikopter

Pasi ua rrestua në 2003, qëndrimi i tij në burg nuk zgjati shumë, pasi në dy vite më vonë ai u arratis nga burgu Korydallos me një helikopter. Në vitin 2006, Rizai u arratis me Vasilis Paleokostas, duke shkaktuar reagime të fortë mbi masat e sigurisë në burgjet greke. 

Por, edhe gjatë qëndrimit në arrati, ai u përfshi në ngjarje të tjera. Në gusht të po atij viti, Rizai akuzohet se vrau në Peristeri 43-vjeçarin Konstantinos Koutelieris dhe 36-vjeçarin Ioannis Katsios. Sipas hetimeve, vrasjet u kryen me urdhër të një prej figurave të fuqishme të mafies greke, Vasilis Stefanakos. Sërish, disa ditë më vonë, Rizai u arrestua nga policia. Megjithatë, edhe këtë herë, u arratis përsëri me helikopter në shkurt të vitit 2009 nga Korydallos. Arratija e tij zgjati vetëm disa muaj, pasi u arrestua në Grammatiko. 

Pengmarrja në burgun e Malandrinos

Pasi u arrestua në 2009, ai tentoi një tjetër arratisje në vitin 2013. Këtë herë, zgjodhi një metodë tjetër, duke marrë peng pesë oficerë burgu në Malandrino. Por, pas 24 orësh negociatash, Rizai u dorëzua përfundimisht te autoritetet.

Ndërkohë, në janar të 2021, ai kishte përfituar 5 ditë leje nga burgu, dhe u arrestua pasi u pikas duke drejtuar një automjet tip "BMW" së bashku me dy persona të konsideruar të rrezikshëm, gjatë një kontrolli të rastësishëm të trafikut.

Vrasjet dhe arratisjet u dënuan me vite dhe burgim të përjetshëm

Alket Rizai është dënuar 2 herë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit Penal me Pesë Anëtarë e Pireut për vrasjen e Konstantinos Koutelieris dhe Ioannis Katsios. Ndërsa për arratisjet me helikopter nga Korydallos, ai ka marrë gjithashtu një dënim total prej 25 vitesh burg. 

Në vitin 2026, ai rikthehet sërish në qendër të vëmendjes. Në lejen e tij të 17-të, ai nuk është rikthyer më në burg. Për këtë arsye, ai është shpallur në kërkim dhe policia greke ka nisur operacionin për gjetjen dhe arrestimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB