DURRËS- Drejtoria e Policisë vendore Durrës ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e ish-drejtorit të IMT, Ardian Halili, për ndërtimet pa leje që kishte kryer në zonën e Ishmit. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë Vendore të Durrësit deklaroi se ish-kryeinspektoi u arrestua pasi u kap duke kryer ndërtime pa leje në subjektin e tij. Sipas asaj që bëri me dije policia, ndërtimet janë kryer në kohën kur ai mbante këtë detyre, gjatë vitit 2018 e në vijim. Bëhet fjalë për 11 godina tip garsoniere, një godinë dykatëshe, një fushë mini futbolli në sipërfaqe mbi 5600 m2.
“Lidhur me veprimet e policisë Durrës, për ndërtimet pa leje, në këtë kuadër strukturat e Durrësit kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit me inicialet A.H. Ky shtetas u kap duke kryer ndërtime pa leje në subjektin e tij, ‘San Michel Rezidencë’, ai e ka ndërtuar këtë objekt gjatë kohës kur ta ushtruar funksionin e kryeinspektorit të IMT në 2018 e në vijim. Ndërtimi përbehet nga 11 godina tip garsoniere, një godinë dykatëshe, një fushë mini futbolli në sipërfaqe mbi 5600 m2. Ky rast është dëshmia e qartë sesi zyrtar të shtetit duke shpërdoruar detyrën, kanë abuzuar me qëllim përfitimin. Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike”, deklaroi policia.
Policia e Durrësit vuri pranga ish-zyrtarin lokal të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Ardian Halili, nën akuzën për ndërtim të paligjshëm gjatë kohës që ushtronte detyrën. 55-vjeçari akuzohet se në vitin 2017 ka ngritur një resort pa leje në zonën e Shetajt, Ishëm, gjatë kohës që ishte në detyrë. Ndërsa autoritetet e zbuluan paligjshmërinë këtë gusht të 2025-ës.
Bëhet fjalë për objektin e njohur si “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”. Resorti përfshin ambiente luksoze, pishina dhe struktura banimi. Hetimet e nisura po shtrihen edhe mbi dokumentacionin pranë Kadastrës, pasi dyshohet se i gjithë kompleksi është i ndërtuar në paligjshmëri, ndonëse në njoftimin fillestar policia fliste për disa shtëpi pushimi pa leje.
Halili është shkarkuar nga posti i drejtorit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në vitin 2021. Ai ka deklaruar se kontrata i është ndërprerë nga Bashkia që në mars të atij viti, ndërsa vetë institucioni vendor ka bërë me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen./ZËRI