KOLUMBI- Autoritetet kolumbiane arrestuan Samir Rosales Rodríguez, i njohur me nofkën “kimisti”, në Bogota. Ai akuzohet se është lidhja midis kartelit ballkanik dhe mafias shqiptare që vepron në Amerikën e Jugut, tha të mërkurën drejtori i përgjithshëm i policisë Carlos Fernando Triana.
Rodríguez ka qenë në kërkim në Shqipëri me urdhër të SPAK, pasi është pjesë e grupit të laboratorit të kokainës që u zbulua 3 vite më parë në fshatin Frakull të Fierit. Sipas drejtorit të policisë në Bogota, ‘kimisti’ është një prej udhëheqësve të organizatës që koordinojnë trafikun e drogës nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Sipas hetimit, i arrestuari përdori "kompani fasadë" për të transportuar mallra nga porti i Buenaventurës, Kolumbi, në Greqi dhe Mal të Zi, ndërkohë që një pjesë e kokainës kishte si destinacion Shqipërinë.
¡????????????????́ ‘???????? ????????????́????????????????’ ???????? ???????? ???????????????????? ???????? ???????????? ????????????????????????????????! En Bogotá, en desarrollo de la ofensiva contra el multicrimen y el delito, la @PoliciaColombia, en coordinación entre las Oficinas Centrales Nacionales de @INTERPOL_HQ de Colombia, Ecuador y… pic.twitter.com/NWYpba9JHl
— Mayor general Carlos Fernando Triana Beltrán (@DirectorPolicia) September 3, 2025
SPAK ka ngritur ndaj Rodriguez akuza për kryerjen e veprave penale "trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "grup i strukturuar kriminal", dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka kaluar për gjykim në mungesë çështjen e kolumbianit. Lidhur me laboratorin e kokainës në Frakull janë dënuar 11 persona të tjerë me 93 vite total burg.
Të DËNUARIT:
Klajdi Kodra: 12 vjet
Denilson Çervanaku: 12 vjet
Nikolin Gjolena: 12 vjet burg
Viktor Çervanaku: 10 vjet e 8 muaj
Zenel Çervanaku: 10 vjet burg
Redion Meshi: 10 vjet burg
Bledar Matoshi: 8 vjet e 4 muaj
Enxhi Ferhati (e dashura e Denilson Çervanakut): 8 vjet burg
Marildo Nona: 8 vjet burg
Julian Malaj: 2 vite burg
Si u zbulua laboratori?
Laboratori u zbulua në nëntor të vitit 2022. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Përpos të arrestuarve, në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri (Frakull) për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu./ ZËRI
