Aktualitet

Laboratori i Kokainës në Frakull, GJKKO kalon për gjykim kimistin e grupit kriminal, kolumbiani ende në kërkim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet në dhjetor të vitit 2023 dhe prej asokohe dosja ishte në proces.

I.F
Laboratori i Kokainës në Frakull, GJKKO kalon për gjykim kimistin
Pamje nga laboratori i kokainës

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen e kolumbianit Samir Rosales Rodriguez. Ai akuzohet si anëtar i grupit kriminal që kishin ndërtuar laboratorin e kokaine në Frakull të Fierit. Rodriguez kishte rolin e kimistit të grupit, dhe prej asokohe është shpallur në kërkim. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet në dhjetor të vitit 2023 dhe prej asokohe dosja ishte në proces.

Gjyqtari i çështjes Erjon Çela pranoi sot kërkesën e SPAK dhe dërgoi për gjykim dosjen e Rodriguez, e cila ishte ndarë nga anëtarët e tjerë të grupit, tashmë të dënuar, mes tyre edhe ish-kryekomunari i Frakullës Viktor Çernavaku dhe familjarët e tij. Kolumbiani akuzohet për veprat penale "trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "grup i strukturuar kriminal", dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".

Lidhur me këtë çështje janë dënuar 11 persona të tjerë me 93 vite total burg.

Të DËNUARIT DHE PRETENCA:

Klajdi Kodra: 12 vjet

Denilson Çervanaku: 12 vjet

Nikolin Gjolena: 12 vjet burg

Viktor Çervanaku: 10 vjet e 8 muaj

Zenel Çervanaku: 10 vjet burg

Redion Meshi: 10 vjet burg

Bledar Matoshi: 8 vjet e 4 muaj

Enxhi Ferhati (e dashura e Denilson Çervanakut): 8 vjet burg

Marildo Nona: 8 vjet burg

Julian Malaj: 2 vite burg

Si u zbulua laboratori?

Laboratori u zbulua në nëntor të vitit 2022. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Përpos të arrestuarve, në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri (Frakull) për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu./ZËRI

Poll

MOS HUMB